Arbëri

Kushtetuesja ua ndalon deputetëve vendimet pas kalimit të afatit 30-ditor

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese ua ka ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që e pati përcaktuar në  aktgjykimin e parë (pas kërkesës  së AAK-së). Masa e përkohshme e Kushtetueses, e përcakton se kjo ndalesë  vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në vendimin e saj, Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.

Tutje thuhet se Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet tutje në vendim.

Gjykata ka vendosur “të caktojë ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25”.

Vendimi për masë të përkohshme është i ndërlidhur me rastin që e kanë dërguar deputetët e LDK-së dhe PDK-së ku kontestohet vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025. Megjithatë Gjykata e ka nxjerrë vendimin për masë të përkohshme ex-officio (në bazë të detyrës zyrtare) pa qenë kërkesë e parashtruesve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.

Osmani ka ka kërkuar edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.

“Kemi paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Kërkesa për masë është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në bllokadë pa fund”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo do të nënkuptonte pezullim të afatit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me çështjet e ngritura.

Sipas saj, masa për pezullim do të thotë se nuk do të kishte nevojë të mbaheshin seanca çdo 48-orë.

Në kërkesën e presidentes theksohet që zgjidhja e këtij konflikti kompetencash paraqet nevojën që të sqarohen:

1. Pasojat juridike të mungesës së konstituimit të Kuvendit brenda afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.

2. Pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.

3. Autorizimet, kufizimet dhe pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që konstituohet pas afateve të caktuara në nenin 2066.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës. 

Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë edhe lidhur me kërkesën e presidentes Osmani.