Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, se vendimi i saj për tokën e Manastirit të Deçanit, s’po zbatohet. Kushtetuesja ka kërkuar nga Prokuroria veprime sipas ligjit.
Pesë vjet më herët, Kushtetuesja pati vendosur t’ia njohë të drejtën e pronësisë këtij manastiri për 24 hektarë tokë. Megjithatë, vendimi s’u zbatua asnjëherë.
Tani kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit thotë se “Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve nga autoritetet përgjegjëse".
"I takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese drejtuar Kryeprokurorit e kanë mirëpritur shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
Përmes një komunikate përfaqësuesit e këtyre vendeve perëndimore thonë se “është shqetësues fakti që Gjykata Kushtetuese është e detyruar t'u kujtojë institucioneve ekzekutive që të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit”.
Në muajin maj Manastiri i Deçanit përmes një deklarate pati thënë se po përballen me obstruksione ligjore nga të dyja nivelet e institucioneve të Kosovës, atyre lokale dhe qendrore.
Hapësira tek Manastiri i Deçanit prej vitesh vazhdon të jetë çështje mospajtimesh mes përfaqësuesve të manastirit dhe Komunës së Deçanit për shkak të vendimit të Kushtetueses, e cila i njeh manastirit të drejtën e pronës mbi 24 hektarë tokë.