Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kusari: Sinjalizimi mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin

Këshilltarja në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, ka thënë se sinjalizimi është mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin.

E ftuar në emisionin Tempus të KTV-së, Kusari ka thënë se qëllimi i sinjalizimit nuk është për të ndikuar negativisht në imazhin e një institucioni për shkak të parregullsisë, por se është një problem që duhet rregullohet brenda institucionit.

Nëse nuk arrihet të gjendet një zgjidhje brenda institucionit, sipas Kusarit, hapi i dytë është të raportohet në Agjencinë Kundër Korrupsion, ndërsa nëse nuk i besohet kësaj agjencie, sinjalizuesit mund të dalin dhe të flasin publikisht.

“Së pari, sinjalizimi është një prej mënyrave më të mira për ta luftuar korrupsionin për shkak se sinjalizimi ua mundëson atyre njerëzve që e kanë një informacion për një shkelje apo parregullsi, ta ngrisin atë, fillimisht brenda institucionit sepse qëllimi i sinjalizimit nuk është për ta bërë hor një institucion, por nëse është një problem, të rregullohet brenda shtëpisë. Nëse nuk rregullohet brenda shtëpisë, duhet të shkohet te komshia që është Agjencia Kundër Korrupsionit ose Inspektorati. Nëse as aty nuk funksionon ose personat që dëshirojnë të sinjalizojnë nuk iu besojnë institucioneve, atëherë mund të dalin dhe të flasin publikisht. Arsyeja pse mbrohen sinjalizuesit është për shkak se ata mund t’i nënshtrohen veprimeve hakmarrëse”, ka theksuar më tej ajo.