Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kusari-Lila: Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.

Kusari-Lila ka thënë të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se edhe procesi i liberalizimit të vizave do të vazhdojë në rrugën e vet.

“Në momentin kur nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave që janë për Kosovën apo kushteve teknike siç janë quajtur, unë kufizohem në dhënien e një përgjigje definitive në këtë fushë. Besoj që ky është një proces, ashtu siç është thënë shumë herë deri në këto momente tashmë është caktuar një datë kur vendet të cilat kanë propozuar ose kanë diskutuar për çështje që duan t’i ngritin në raport për liberalizimin e vizave janë kërkuar që ato të dorëzohen me shkrim. Besoj që procesi si i tillë do të vazhdojë në rrugën e vet dhe pashmangshëm Kosova është në udhëtim njëdrejtimësh, integrimi në Bashkimin Evropian për Republikën e Kosovës nuk ka alternativë dhe ky është qëndrimi ynë në të gjitha funksionet që i ushtrojmë qoftë në legjislativ apo ekzekutiv”, ka thënë ajo.

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, u raportua se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Këtë kërkesë, bashkë me atë për harmonizimin të sistemit të vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, e ka kërkuar Franca.