Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas deklaratave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, i cili ka adresuar disa pyetje lidhur me punësimet në AKP të familjarëve të Kusarit, Albin Kurtit, Hidajet Hysenit dhe Rozeta Hajdarit.
Kusari-Lila në Facebook ka kërkuar nga Berisha që t’ju kërkoj falje publike të gjithë atyre që ua ka përmendur emrat “me aludimin se kinse qenkan aty si rrjedhojë e lidhjeve politike dhe standardin e abuzimit me pushtet dhe pozitë që e mban partia e tij, mos të mundohet t’ju mvesh tjerëve se nuk i pin ujë”.
Ajo thotë se Berisha abuzoi me pozitën dhe hapësirën në Komisionin Hetimor për privatizimet në Kosovë, ku u intervistua drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj.
Kur Tolaj u pyet se kur janë punësuar tezja e Mimoza Kusari-Lilës, balldëska e Albin Kurtit, djali i Hydajet Hisenit e vajza e Rozeta Hajdari, Tolaj pranoi se ata janë të punësuar aty pa dhënë detaje të tjera.
Kusari-Lila ndërkaq, ka sqaruar se kushërira e saj është punësuar në AKP që nga viti 2005.
“Besa Belegu, kusherina ime në AKP dikur AKM, është punësuar me 1 Nëntor, 2005 në këtë institucion, në kohën kur organizata menaxhohej nga shtylla e katërt e UNMIK-ut. Në atë kohë dhe as në vitet pasuese deri me 2009, nuk kam qenë pjesë e politikës në Kosovë. Andaj, çfarëdo tentimi për ndërlidhje të natyrës “hajt se të gjithë keni dërgu njerëz atje” është abuzim, është manipulim dhe është cenim i të drejtës elementare të individëve të përmendur”, ka thënë ajo.
Kusari shton se Tolaj është dashtë t’ia jap komisionit edhe kohën se kur janë punësuar këta aty.