Arbëri

Kusari-Lila e sheh kërkesën e Serbisë për kthim të ushtarëve në Kosovë si “demaskim të Vuçiqit”

Një ditë pas dorëzimit në KFOR të kërkesës për kthimin në Kosovë të një numri të ushtarëve serbë, ministri i Jashtëm i Serbisë thotë se përgjigje nuk është marrë ende. Ndërkaq, me këtë kërkesë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Serbia po i shpalos edhe njëherë para ndërkombëtarëve qëllimet e saj ndaj Kosovës

Serbia është ende në pritje të një përgjigje nga KFOR-i rreth kërkesës së dorëzuar për kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë, ka thënë të shtunën ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Një ditë pas deponimit të kërkesës, ai ka thënë se nuk ka hapësirë që të diskutohet për çështje të tjera në kuadër të dialogut, përderisa ka situatë të tensionuar në veri të Kosovës.

“Nuk mund të bësh dialog serioz për disa çështje të mëdha e të rëndësishme, sepse çdo ditë dhe çdo javë po merresh me depërshkallëzimin dhe tejkalimin e problemeve të ndryshme. Derisa njerëzit janë në barrikada e serbët janë duke u arrestuar, është e vështirë të diskutosh për zgjidhje të përhershme në problemin me Kosovën”, ka thënë Daçiq.

E Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se me kërkesën për kthimin e ushtarëve, Serbia është duke i shpalosur qëllimet e saj. E situatën aktuale në veri të Kosovës, ajo e kualifikon si një lojë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ka pasur vazhdimisht patrullime, deri te edhe paraqitja e ambasadorit rus në kufi me Kosovën. Kjo nuk është se nuk është ditur apo parë, por nuk është thënë publikisht. Tash këto rrethanat e fundit kanë hequr edhe maskën e fundit të Vuçiqit karshi BE-së, ShBA-së për qëllimet dhe pretendimet e tij destruktive në dëm të Kosovës, madje edhe komuniteti serb në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

Vendimi që KFOR-it t’i adresohet kërkesë për dërgimin e ushtarëve serbë në Kosovës, është miratuar të enjten nga Qeveria e Serbisë.

Në KFOR, të premten ia kanë konfirmuar KOHËS pranimin e kësaj kërkese dhe se aktualisht po bëhet shqyrtimi i saj.