Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është tallur me një gazetare që ka insistuar të marrë një deklaratë për takimin e tij të para pak ore me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka komentuar insistimin e gazetares për të marrë përgjigje, në kohën kur kryeministri ishte në një vizitë te një bujk në Miresh të Gjilanit.
“Pas korrje-shirjeve vjen mbjellja e re. Nga 5 deri me 30 tetor është koha ideale për drithërat. Këtë po e bën bujku Osman Osmani nga Mireshi i Gjilanit, i cili tash e tetë ditë po lavron, ku sivjet po i mbjellë 10 hektarë me grurë e 10 të tjera me misër. Pas rritjes së rendimentit këtë verë, po shtohen edhe mbjelljet këtë vjeshtë. Në vitin 2022 është rritur për 15.5% sipërfaqja e mbjellur me grurë dhe për 91% ajo me misër. Krahasuar me 2021 përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216% për hektar, kurse për atë të misrit 119% për hektar. Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, ka thënë Kurti.
Juristja e medias, Flutura Kusari, të enjten ka thënë se në Raportin e Progresit shqetësimi më serioz është për denigrimet publike që u bëhen gazetarëve.
“Raporti citon, me të drejtë, vlerësimin e AGK-së, sipas së cilës ka pasur rritje të deklaratave poshtëruese/nënçmuese dhe denigruese nga politikanët (dhe biznesmenët) drejtuar mediave, të cilat minojnë besimin në gazetari dhe sigurinë e gazetarëve”, ka thënë ajo.
Edhe
Zyrtarët thonë se sivjet sigurohet më shumë grurë sesa kërkesat për konsum
Kusari ka thënë se për denigrimin dhe sulmet ndaj gazetarëve përgjegjësinë e ka Lëvizja Vetëvendosje dhe bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu.
“Për këtë kritikë kaq serioze, përgjegjësinë e mban Lëvizja Vetëvendosje dhe sigurisht Prindon Sadriu. Që kur se kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me VV-në dhe Guxo, shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet. A bëjnë shkelje etike dhe ligjore mediat? Po! Mirëpo, shkeljet duhet të adresohen në KPM, KMSHK dhe gjykatë, e jo në luftë publike me gazetarë. Politikanët dhe njerëzit në pushtet nuk kanë të drejtë të vlerësojnë mediat, ata mund të bëjnë politika për të përmirësuar sistemin medial dhe aty përfundon misioni i tyre. Ndërsa mediat kanë të drejtë t'i vlerësojnë gazetarët. Nëse politikanët kanë dëshirë të bëjnë vlerësime, mund të fillojnë të punojnë si gazetarë. Për këtë qasje ndaj gazetarëve, faturën do ta paguajnë njerëzit në pushtet”, ka shkruar ajo në Facebook.
-
Kurti: Priten rendimente prej 4 deri në 5 tonë grurë për hektar këtë vit
-
Kurti s’u përgjigjet pretendimeve të Osmanit për “takimin e fshehtë” me Vuçiqin e Lajçakun
-
Gutierrez: Kurti nuk e njeh klimën armiqësore ndaj gazetarëve, e justifikon atë
-
Haziri për Kurtin: Me propagandë erdhe në pushtet, prej propagandës do të shkosh