Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koordinatorët e rinj të qendrave për detyrën e marrë në mbledhjen e sotme të partisë, duke paralajmëruar se gjatë këtij viti nuk do të ketë zgjedhje parlamentare, por se do të ketë zgjedhje brenda partisë.
Në këtë mbledhje, Kurti ka theksuar rëndësinë që ata kanë në udhëheqjen e procesit të brendshëm zgjedhor në këtë fazë.
“Viti 2022 nuk do të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare e lokale, por vit i zgjedhjeve brenda Lëvizjes sonë”, citohet të ketë thënë Kurti.
Më tej njoftohet se Kurti është deklaruar rreth punëve dhe të arriturave të qeverisë .
“Kurti ka njoftuar mbi punët dhe të arriturat e qeverisë me theks të veçantë ndryshimin për të mirë të të gjithë parametrave ekonomik, luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe procesin e suksesshëm të vaksinimit ku prej zero vaksinave në fillim të mandatit sot pas njëmbëdhjetë muajsh jemi liderë në rajon”, thuhet në komunikatë.
Në pjesën e dytë të mbledhjes bëhet e ditur se janë diskutuar detyrat kryesore të Koordinatorit dhe të Grupit Punues, ku Koordinatorët e rinj do të jenë bartës të këtij procesi të brendshëm zgjedhor.
Edhe
Kurti shpall fitoren, thotë se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera
Krahas procedurave të parapara me statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, këto zgjedhje, për dallim nga zgjedhjet e tjera të mbajtura përbrenda VV-së, do të funksionalizojnë dy organe tashmë statutore, atë të Gruas për Vetëvendosje dhe Rinisë për Vetëvendosje.
“Lëvizja VETËVENDOSJE!, duke i uruar punë të mbarë koordinatorëve dhe grupeve punuese nëpër secilën qendër, fton anëtarësinë dhe qytetarët të angazhohen gjatë këtij procesi të brendshëm zgjedhor në mënyrë që mbështetjes së madhe për subjektin tonë t’ia shtojnë edhe angazhimin përbrenda organeve të saj. Lëvizja jonë, Lëvizja e qytetarëve të Republikës do të mbetet përherë infrastrukturë e popullit përmes së cilës do të çojmë përpara ndryshimet e nevojshme për vendin, ato për të cilat angazhohemi pareshtur”, përfundon komunikata.