Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është koha për greva, por është koha për punë, derisa u deklarua të mërkurën për grevën e shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, e që pritet të nis nga 25 gushti dhe të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se sipas tij, paralajmërimit për grevë i ka humbur kuptimi.
“Edhe sot jemi në komunikim me ta, pas procedimit për konsultime paraprake për ligjin për paga nga MPB-ja, kërkesë e kahmotshme sindikaliste, paralajmërimit për grevë për bindjen time i ka humbur kuptimi. Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që ligji për paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim, nuk është koha për greva, është koha për punë, është koha që sindikatat të bëjnë gati komentet e tyre për ligjin për paga, ne i duam sindikatat jo spektatore por pjesëmarrëse dhe jo vetëm për shërbyesit civilë, por edhe për zyrtarët publikë kur ai të dalë në konsultime publike”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se qeveria është e gatshme për dialog social pa kërcënime dhe ultimatume.
“Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re, besoj që duhet të ketë emancipim të ndërsjellë, ne jemi për dialog social pa kërcënime, pa ultimatume, për punëtorët, për qeveritarët, për qytetarët, që të mos ketë diskriminime. Nuk mendojmë që është koha e grevave dhe e bojkoteve”, është shprehur më tej ai.