Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe se asaj po i pengon përparimi i Kosovës. Këto komente, kryeministri Kurti i bëri pasi dështoi arritja e marrëveshjes përfundimtare për çështjen e targave të premten në Bruksel.
Kurti, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se nuk e ka ndjekur nga afër këtë proces, porse shtoi se pret nga ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak të tregojë se cila palë nuk ishte konstruktive.
“Unë nuk kam dilema. E di që kryenegociatori ynë Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv, edhe kreativ, por qartazi Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje”, ka thënë Kurti për televizionin publik.
“Ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, shtoi Kurti.
Shefi i Qeverisë ka thënë se Serbia tashmë e ka shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, për shkak që sipas Kurtit, Serbisë po i pengon përparimi i Kosovës.
“Presidenti i Serbisë është duke shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, dhe unë besoj që kjo ka të bëjë me suksesin e Kosovës. Ne po përparojmë në të gjitha fushat, e kjo i pengon atij. Ne e bëjmë punën tonë, por duhet edhe kancelaritë perëndimore t’i tregojnë Beogradit që nuk mund të vazhdojë kësisoj më tutje”, ka deklaruar Kurti.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, akuzoi palën serbe për keqpërdorim të takimeve në Bruksel, pas dështimit të arritjes së marrëveshjes përfundimtare për targat të premten.