Datë për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka kryeministri Albin Kurti.
Kreu i Qeverisë ka thënë se aranzhimi i këtij takimi varet nga ndërmjetësuesit e dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak.
Por, Kurti ka dhënë një datë të përafërt për vazhdimin e bisedimeve në nivel të përfaqësuesve të të dyja shteteve.
E një nga temat që do të diskutohet në takimet në Bruksel, sipas Kurtit, do të jetë edhe ajo e boksierëve kosovarë. Shkaku i ndalimit të hyrjes në Serbi, atyre iu pamundësua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit.
“Me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi edhe njëherë fytyrën dhe thelbin e saj si shtet, për ata të cilët kanë pasur dilema. Natyrisht që të gjitha këto çështje adresohen edhe në Bruksel. Këto do të adresohen edhe para se të ketë takim në Bruksel, sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta, përmes letrave që ua dërgojmë dhe takimi do të mund të ndodhte diku në gjysmën e dytë të nëntorit, sa u përket përfaqësuesve të dy shteteve tona”, ka thënë Kurti.
Kurti u është përgjigjur kritikave të opozitës, se me vendimet e marra ditëve të fundit, është duke bërë fushatë.
“Ne këto vendime që i marrim, i marrim duke u bazuar në përgatitjet për vendimet, jo në agjendat politike qofshin ato elektorale ose të tjera. Gjithçka që bëjmë do të qëllojë pas ndonjë date e para ndonjë date tjetër. Por ky nuk është preokupimi ynë. Ne qeverisim për ditë, drejt e mirë dhe fare nuk ndikohemi prej zhvillimeve të jashtme, por prej përgatitjeve dhe vlerësimeve të brendshme”, ka deklaruar ai.
E derisa ka thënë se janë në përgatitje të Ligjit, kreu i ekzekutivit ka kritikuar qeverisjet e kaluara për rritjet e bëra të pagave, duke thënë se ato nuk janë bërë në mënyrën e duhur.
“Qeveritë e mëhershme i kanë rritur pagat me premtime elektorale që mandej i kanë përmbushur pjesërisht ose aspak. Pra, me premtime elektorale janë përpjekur t’i rrisin pagat, mirëpo ekonomia nuk funksionon asisoj mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, mirëpo ekonomia nuk funksionon me rritje pagash, siç është bërë në të kaluarën. Me neve, në muajt dhe viteve në vijim rritja e pagave do ta ndjekë rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike”, ka thënë tutje Kurti.
Të gjitha këto, Kurti i bëri të ditura në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
Që të dy renditën punët që, sipas tyre, kanë bërë në favor të fermerëve, derisa shtuan se kanë adresuar rreth 40 milionë euro obligime ndaj tyre në kategorinë e subvencioneve.