Arbëri

Kurti përsërit: Marrëveshjet të nënshkruhen, Kosovës t’i hiqen masat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që marrëveshjet e dakorduara me Serbinë të nënshkruhen dhe që Kosovës t’i hiqen masat e vëna nga Bashkimi Evropian. Kërkesën e ka përsëritur në takimet që ka pasur të premten në mbrëmje në Munih me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti vazhdimisht ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe Ohër vitin e kaluar, gjë të cilën e ka refuzuar Serbia. Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti u ka thënë emisarëve të BE-së se nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia.

“Në takim u bisedua për procesin e dialogut, zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Kurti po ashtu ka përsëritur se “masa kufizuese të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian duhet të hiqen”.

BE-ja në verë të vitit të kaluar i vuri masa të karakterit politik e ekonomik Kosovës, pasi Qeveria refuzoi që t’i heqë menjëherë kryetarët e komunave të veriut nga zyrat dhe policinë nga dhe përreth ndërtesave komunale.

Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Pjesë e sanksioneve janë edhe pezullimi i programit të IPA 2024 për Kosovën dhe mosshqyrtimi i projekteve në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.