Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar shembull të jashtëzakonshëm të rezistencës, luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mejdi Asllani, të njohur si “Plaku i Maleve”.
Në ceremoninë e varrimit të Asllanit, Kurti ka kujtuar atdhetarizmin dhe rezistencën e kësaj familjeje më 7 mars 1999.
“7 marsi i vitit 1999 ka mbetur i shkruar me shkronja të arta në historinë më të re të Kosovës sepse ishte ajo ditë, shënimin e 25-vjetorit të së cilës do ta kemi së shpejti kur Mejdi Asllani u rrethua nga forcat policore të Serbisë të cilët përderisa anëtarët e familjes së tij ishin të fjetur, hynë brenda dhe i morën peng. Ai ishte me djalin e vetë Asllanin aty teksa tytat e automatikëve ishin të drejtuar ndaj të gjithë anëtarëve të familjes dhe një familje e tërë e marrë peng, brenda pak kohë e mori peng pikërisht pengmarrësi”, ka thënë Kurti, duke shtuar se edhe me ato pak armë që kishin në shtëpinë e tyre, ata i zmbrapsën forcat armike policore.
Rastet sikurse ballafaqimi i drejtpërdrejtë në kushte të pamundura i Mejdi Asllanit me familje, janë dëshmi se sa e pabarabartë ishte ajo luftë nga e cila ne dolëm fitimtarë, ka thënë kryeministri.
“Edhe gjërat të cilat duken të pamundura njerëz me patriotizëm dhe vullnet, me guxim e trimëri sikurse Mejdi Asllani i bëjnë të mundura. Atë çfarë dikush se imagjinon dot njerëz si Mejdi Asllani e bëjnë realitet”, shtoi ai.
Edhe
Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë më parë
Më 7 mars të vitit 1999, familja e Mejdi Asllanit u sulmua nga katër policë të Serbisë, të cilët e morën peng gjithë familjen Asllani, duke ua mbajtur tytat e automatikëve në kokë dhe në gjoks brenda shtëpisë së tyre, në lagjen Emshir të Prishtinës. Mejdiu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me të dy djemtë e tij Asllanin dhe Bekimin. Në një ngjarje pabesueshmërisht dramatike, Mejdi Asllani bashkë me djalin e tij Asllanin, arritën ta përmbysin situatën falë bombave të dorës dhe një automatiku që e kishin në shtëpi. Atë ditë ata dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të rezistencës.
Asllani vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare.