Të dielën u shënua 32-vjetori i pajtimit të gjaqeve të Verrat e Llukës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook se pajtimi u në parakusht për krijimin e kohezionit kombëtar përballë politikave fashiste të Serbisë.
“Të prejardhura nga një kulturë e vjetër e gjakmarrjes dhe të bartura nga e drejta zakonore shqiptare ndër shekuj, mijëra raste të hapura gjakmarrjesh dhe ngatërresash, edhe në fund të shekullit XX, mirëmbanin një gjendje përçarjeje dhe pasigurie në Kosovë. 32 vjet më parë, në një datë si sot, më 1 maj 1990, qindra mijëra njerëz u mblodhën në logun e quajtur Verrat e Llukës në komunën e Deçanit, në një tubim masiv ku u falën 100 gjaqe dhe ngatërresa. Kështu, një ide e nisur nga disa studentë të Universitetit të Prishtinës dhe ish-të burgosur politikë, u kthye në një lëvizje që rezultoi me faljen e rreth 1800 gjaqeve dhe të mijëra ngatërresave në gjithë Kosovën”, tha Kurti.
Kurti potencoi se Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, e drejtuar nga profesori Anton Çetta, është përvoja më e mirë kolektive e shqiptarëve e të qenit të bashkuar si shoqëri dhe si komb.
“Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve, është përvoja jonë kolektive më e mirë për forcën që mund të fitojmë nga të qenit të bashkuar si shoqëri dhe si komb! Andaj bashkë me kujtimet e kësaj periudhe të historisë moderne të Kosovës, kjo përvojë vlen edhe sot, për të gjithë shqiptarët”.
Në kujtim të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve Vitet e 90-ta në Kosovë si dekadë e rezistencës paqësore dhe luftës së...
Posted by Albin Kurti on Sunday, May 1, 2022