Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e me ministren gjermane të Mbrojtjes, Cristine Lambrecht, ka diskutuar për mbështetjen e këtij shteti për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, ku Kosova planifikon që të aplikojë së shpejti.
Ai ka përmendur edhe mbështetjen që i është kërkuar Lambrechtit për qëllimin e Kosovës për aplikim dhe pranim në programin për paqe dhe në organizatat tjera rajonale dhe ndërkombëtare.
“Me ministren e Mbrojtjes biseduam edhe për mbështetjen që mora nga kancelari Scholz dhe ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock për aspiratat tona për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës ku planifikojmë që të aplikojmë së shpejti, si dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ministres Lambrecht i kërkova mbështetjen në lidhje me qëllimin e Kosovës për përgatitjet për aplikim dhe pranim në programin për paqe, si dhe në organizatat tjera rajonale dhe ndërkombëtare, specifikisht në Kartën e Adriatikut në A5”, ka thënë Kurti.
Ai deklaroi se në këtë takim është biseduar edhe për shqetësimet rreth sigurisë në rajon dhe Evropë pas invazionit dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
“Për sigurinë tonë dhe vendit tonë ka 23 vjet që kujdesen forcat gjermane, Republika e Kosovës e ka dënuar ashpër agresionin rus që në ditën e parë. Jemi rreshtuar krah perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Vetëm një botë e bashkuar dhe demokratike mund ta ndalë një person si lideri despotik i Kremlinit”, është shprehur ai.
Edhe
Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE
Kreu i Qeverisë deklaroi se në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e bisedimeve me Serbinë, ku tha se ka theksuar që dialogu duhet të jetë parimor, për të sjellë normalizim të plotë të marrëdhënieve me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që e ka njohjen reciproke në qendër.
“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them që ky është elementi i vetëm i marrëveshjes, duhet të ketë edhe të tjera. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur është çliruar, apo para vitit 2008 kur ka shpallur pavarësinë, apo para 2010 kur është dhënë opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Duhet të ecim përpara dhe për të ecur përpara, presidenti i Serbisë duhet të distancohet edhe nga Millosheviqi edhe nga Putini”, ka thënë Kurti.
-
Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën
-
Kurti diskuton me ambasadorët e QUINT-it për aplikimin e Kosovës për pranim në Këshill të Evropës
-
Kurti paralajmëron aplikimin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s
-
Kurti: Jemi gati ta zgjasim dorën nëse Serbia është e gatshme të çlirojë grushtet