Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Me Kroacinë do të bashkëpunojmë në sferën ndërkombëtare e regjionale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në vazhdën e takimeve, sot në zyrat e Qeverisë së Kosovës, priti në takim ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barishiq.

Ambasadorja, siç njofton kumtesa nga ZKM, uroi Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe i ofroi mbështetje të madhe, si një partner strategjik dhe shumë i afërt i popullit shqiptar.

“Aleatët tanë ndërkombëtarë janë të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, e sidomos kur një prej tyre është një vend mik e i afërt sikur Kroacia. Me Kroacinë përveç që duhet të bashkëpunojmë në sferën ndërkombëtare, bashkëpunimi me të duhet të bëhet edhe në atë regjional. Të përbashkëtat mes Kosovës e Kroacisë janë të shumta, prandaj edhe duhet që edhe bashkëpunimi të rritet”, citohet Kurti nga zyra e kryeministrisë.

Kroacia, thuhet tutje, tashmë ka marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, “dhe ky është një fat i madh për shtetin tonë dhe si të tillë duhet ta shfrytëzojmë”.

“Integrimi evropian është prioritet i qeverisë së re dhe për këtë do të angazhohen të gjitha kapacitetet tona intelektuale e ekipore për të arritur më të mirën e mundshme”, përfundon njoftimi.