Arbëri

Kurti: Mbrëmë jam ngrohur me batanije

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbrëmë në shtëpinë e tij është ngrohur me batanije.

Këtë deklaratë Kurti e bëri duke iu përgjigjur pyetjes se me çka po ngrohet, gjatë një konference të përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku kanë folur për krizën energjetike në Kosovë.

“Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije, por shpresoj kjo pyetja juaj dhe përgjigja ime nuk do të bëjë që nesër deputeti Bekim Haxhiu ta organizojë një konferencë për media”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se do të bëjnë gjithçka që munden për furnizim sa më të qëndrueshëm e për çmime sa më të përballueshme të energjisë elektrike.

“E kemi popullsinë e varfër, edhe atëherë kur çmimet nuk janë të larta, janë të larta, për shkak të varfërisë e cila është bartur nga brezi në brez tek popullsia jonë”, është shprehur Kurti.