Bashkimi kombëtar mbetet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me rikthimin e Albin Kurtit në krye të këtij subjekti politik në Kosovë thirrja për bashkim është bërë edhe më e fortë.
Kreu i Vetëvendosjes e sheh bashkimin si një zgjidhje jo vetëm për problemet e sigurisë, por edhe për ato ekonomike e politike për shqiptarët në të dy shtetet e ndara.
Por si realizohet bashkimi kombëtar? Kurti thotë se lëvizja mbërrin nga qytetarët.
“Nuk e bëjmë ne bashkimin kombëtar, por bashkimi kombëtar na bën ne. Vokacioni ynë është për bashkim dhe besoj që edhe këtu janë të shumtë që e duan këtë. Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët”, deklaroi ai në një intervistë në Top Channel.
Por, Kosovës i ndalohet në Kushtetutë bashkimi me një tjetër shtet. Kurti e kritikon këtë nen.
Edhe
Kurti: S’do të lejoj “republikë serbe të dytë” në Kosovë
“Ne na kanë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin, si Austria që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë. Por, nuk e kishte Shqipëria Hitlerin, e kishte Serbia Millosheviçin”, shton ai.
Mbledhjet e dy qeverive i sheh më shumë propagandë sesa punë reale në forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve në dy anët e kufirit.
“Kanë qenë takime ceremoniale, që firmosin marrëveshje, por nuk vulosin mekanizma të përbashkët. Moria e marrëveshjeve nuk zbatohet. Mundësitë janë shumë më të mëdha, por mbledhjet bëhen më shumë për protagonizëm sesa ka vërtet interes dhe vullnet. Mos harrojmë që vendet e BE janë shumë më të bashkuara se ne në këtë aspekt”, thotë kreu i VV.
“Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen që në dekadën e ardhshme të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Nëse Serbia hyn një ditë para Shqipërisë dhe Kosovës do të na bllokojë integrimin”, thotë ai.
Lëvizja e drejtuar prej tij akuzohet në Kosovë për flirtim me ekstremizmin islamik. Kurti e mohon.
“Nuk ka flirtim. Jemi subjekt politik që duam një shtet sekular. Por ne kundërshtojmë islamofobinë, që është e shprehur nga kundërshtarët që kërkojnë të zëvendësojnë armikun kryesor që kemi Serbinë me islamin”, përgjigjet Albin Kurti.
Edhe
Kurti: Kushtetuta s’na lejon bashkimin me Shqipërinë, për të duhet të kalojë kohë
Pranon se ekstremizmi mbetet një problem dhe thotë se VV propozoi që të futeshin në listën e organizatave terroriste të gjitha organizatat ekstremiste të identifikuara në Kosovë. Shpjegon edhe pse Vetëvendosje kundërshtoi ligjin që ndëshkon me burg të gjithë shtetasit e Kosovës që përfshihen në luftëra të huaja.
“E kundërshtuam sepse është një ligj universal, sepse me këtë ligj, nëse plas lufta në Luginën e Preshevës, shqiptarët e Kosovës ndëshkohen me burg për pjesëmarrje në të”, shpjegon ai.