Arbëri

Kurti: Kontestimi i ligjeve në Kushtetuese, përpjekje për paralizim reformash

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se kontestimi i disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese është “përpjekje dëshpëruese për paralizim reformash”.

Ai ka përmendur Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ndër ligjet që ka thënë se “jo për rastësi, bashkë me Ligjin për masat e përkohshme mbrojtëse të furnizimin me produkte themelore për qytetarët, nëpërmjet të cilit parandalohet abuzimi i çmimeve të produkteve bazë, janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare.

“Ligji për KPK-në ka më shumë se 6 muaj që është në trajtim (kushtetuese). Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës, nuk mbahet mend që kaq shumë ligje janë kontestuar brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, ka thënë Kurti.

Në hyrje të mbledhjes së Qeverisë, në të cilën u vendos për themelimin e strukturave për Hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se për dy vjet qeverisje është “dëshmuar bindshëm dhe në vazhdimësi vullneti për të luftuar krimin dhe korrupsionin si dhe reforma në drejtësi e në administratën publike”.

Qeveria ka emëruar po ashtu Venera Qerkinin, drejtoreshë ekzekutive në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.


Bislimi: Janë zbatuar 60% e masave të Programit kombëtar për zbatim të MSA-së

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka informuar kabinetin qeveritar për zbatimin e Programit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Ai ka thënë se 60 për qind e masave të këtij programi janë zbatuar kurse në proces të zbatimit është pjesa tjetër e masave.

“Përmbajtja ka pasur gjithsej, 235 masa afatshkurtra, prej të cilave 39 masa legjislative dhe 146 masa zbatuese. Sipas nivelit të zbatimit deri në fund të periudhës raportuese, pra deri në fund të vitit 2022, janë zbatuar gjithsej 136 masa legjislative apo zbatuese, ose 60 për qind e planit, derisa pjesa tjetër apo 99 masa janë në zbatim e sipër”, ka theksuar Bislimi.

Qeveria ka miratuar edhe propozim vendimin për huamarrje në vlerë prej 20 milionë eurosh për investime në ndërmarrjen “Trepça”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me këtë huamarrje ose huadhënie e Ministrisë për “Trepçën”, është në kuadër të veprimeve që ka ndërmarrë Qeveria për të rikthyer gjendjen e profitabilitetit dhe të zhvillimit në këtë ndërmarrje. “Kjo huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro pritet të shfrytëzohen për makineri produktive dhe flotacion ... Një huamarrje e tillë do t’i mundësojë ‘Trepçës’ rritjen e prodhimit por edhe uljen e shpenzimeve”, ka theksuar Murati.

Në këtë mbledhje Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për organizmin e tregut për produkte bujqësore, propozim-vendimin për rialokim të mjeteve buxhetore në Ministrinë e Zhvillimin Rajonal për 14 projekte kapitale në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara nga ministri dhe kryetarët e komunave, propozim-vendimin për të kërkuar nga presidentja e Kosovës dhënien e autorizimit zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Besnik Bilsimi, për nënshkrimin e marrëveshjes financiare për IPA-2022 në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, koncept-dokumentin për faturat e kulturave bujqësore dhe flet-magazinave në Kosovë, propozim-vendimin për themelimin e Komisionit ministror për kartën për komunë të gjelbër dhe të qëndrueshme, propozim-vendimin për autorizimin e ministrit të Financave për aprovim të transferove nga nënprogrami shpenzimet e paparashikuara në nënprograme të tjera, për shuma individuale deri në 40 mijë euro si dhe propozim-vendimin për emërimin e Komisionit për verifikim të diplomave.


Murati akuzon opozitën se po bën çmos për t’i penguar reformat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se partitë opozitare “po bëjnë çmos për të penguar reformat” duke i dërguar ligjet në Gjykatë Kushtetuese.

Murati në konferencë për media është pyetur për anulimin e konkursit për drejtor të ATK-së.

“Ne kemi hapur konkurs si Ministri e Financave, vitin e kaluar, bazuar në ligjin për ATK-në e proceduat, që parasheh se MF-ja shpall konkurs e rekruton drejtorin e ATK-së. Ishte ndërhyrja e Këshillit të pavarur për shërbyes civilë, që konstatoi se nuk duhet bazuar në ligjin e veçantë për ATK-në, por duhet bazuar në ligjin për zyrtarë publikë. Siç e dini ligji i njëjtë është dërguar në Kushtetuese nga opozitarët, siç po ndodh me shumicën e ligjeve që parashohin reforma”, ka thënë Murati.

Murati ka thënë se dërgimi i ligjeve në Kushtetuese po shkakton telashe.

“Po merr kohë të gjatë për t’u shqyrtuar nga Kushtetuesja, siç e shihni edhe me ligjin për Këshill Prokurorial të Kosovës që është me disa muaj në Kushtetuese e nuk lëvizj tutje. Kemi raste kur e vështirësojnë punën e reformat, presim që të marrë epilog çështja e ligjit për zyrtarë publikë, e kemi në procedurë edhe ligjin për ATK-në, ligjin e ri, që parasheh dispozitat si të rregullohet çështja”, ka thënë Murati.