Arbëri

Kurti: Kam qenë në Shtëpi të Bardhë, vizitën e gjatë atje e kam paralajmëruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka vizituar edhe Shtëpinë e Bardhë.

Kurti i cili është kthyer në Kosovë të enjten pas një qëndrimi disa ditor atje, ka thënë para gazetarëve të premten se në Shtëpi të Bardhë është pritur nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sulliven, me të cilin siç ka thënë, kanë diskutuar për sigurinë e Kosovës.

“Kam qenë në Shtëpinë e Bardhë dhe aty jam takuar me këshilltarin për Siguri Kombëtare Jake Sulliven, që është takim në funksion të sigurisë për Kosovën”, ka thënë Kurti pas daljes nga Forumi i Bizneseve të Diasporës që është mbajtur në Prishtinë.

I pyetur për vizitën e gjatë në SHBA, Kurti ka thënë se e kishte paralajmëruar këtë porse ka shtuar, se e dinte që pasi të shkonte atje do të pyetej se kur do të kthehej.

“Që do të qëndrojë gjatë e kam paralajmëruar me kohë, nuk ka të befasuar, dhe në një konferencë këtu e kam thënë se teksa pyesni kur po shkon në Amerikë së shpejti do të pyesni se kur do të kthehesh”, është shprehur Kurti.

Ai ka shtuar se qëllimet e vizitës së tij në SHBA kanë qenë që të sjellë investime në Kosovë dhe të flasë për sigurinë në Kosovë, në kohën kur shteti fqinj Serbia është në lidhje të ngushtë me Rusinë e cila po bën agresion ndaj Ukrainës.