Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigjja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se në çdo tryezë ndërkombëtare që organizohet bën thirrje që së pari të kërkohet nga Serbia që të hapen arkivat shtetërore.

Ai thotë se hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë, që janë mbi 1600.

“Në këtë ditë sigurisht se ka më shumë ankth sesa pikëllim, meqenëse 1632 persona nga Kosova vazhgdojnë të jenë të pagjetur, ende nuk e kemi zbardhur fatin e tyre. Siç e tha presidentja Osmani në raportet tona me Serbinë çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefajala e nuk mund të pretendojmë të kemi të ardhme të sigurt e të qëndrueshme nëse nuk adresojmë çështjet e së kaluarës, nëse nuk e trajtojmë e nuk e sqarojmë të kaluarën. Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën. Bëjë thirrje që në të gjitha tryezat të ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare, nga Serbia së pari të kërkohet hapja e arkivave. Pasi vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit 1999, por edhe më herët më 1998 e kështu me radhë, pastaj varrosja e tyre, zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi, e zhvarrimi prej atje, gjithçka nuk është bërë nga qytetarë të thjeshtë të zakonshëm, por nga aparati shtetëror. Hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Si krerë të institucioneve do të jemi pranë familjarëve e gjithmonë do të kemi prioritet këtë çështje”, ka thënë Kurti në adresim për media, para vendosjes së buqetës me lule te lapidari përkujtimor për personat e zhdukur në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë.