Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova për fat të mirë nuk është e varur nga gazi rus.
Kurti ka marrë pjesë të martën në Forumin Socio-Ekologjik 2022 në Shkup në diskutimit me temë “Një transformim i drejtë për Evropë të vetëmjaftueshme me energji”, ku ka folur edhe për hapat e Qeverisë së Kosovës për t’i ndihmuar familjet që kursejnë energjinë elektrike.
“Kosova fatmirësisht nuk varet nga gazi rus", ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të vendos themelet e së ardhmes së sektorit të energjisë në vend, i cili gjithnjë e më shumë do të ofrojë siguri në furnizim me energji elektrike, energji të pastër, efiçencë të energjisë, pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe mbështetje për grupet e cenueshme.
“Ne synojmë të integrojmë energjinë e Kosovës në tregun rajonal dhe pan-evropian – integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është një prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për vendin tonë. Hapi i parë më i rëndësishëm këtu do të jetë funksionimi i plotë i Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX), i cili pritet në fillim të vitit 2023”, u shpreh ai.