Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e quan turizëm qeveritar vizitën e delegacionit të Kosovës në Washington

Foto: Alban Bujari / KOHA

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka quajtur turizëm qeveritar vizitën e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Washington, për takimin me Serbinë.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se ekipi i Kosovës s’është i koordinuar.

“Delegacioni kosovar shkoi tri ditë më herët, para fillimit të bisedimeve. Ky është turizëm qeveritar me para të shtetit e të popullit. Delegacioni nga Kosova është enorm për nga numri i pjesëmarrësve dhe shumëfish më i madh sesa ai nga Serbia. S’ka përvojë në negociata ndërkombëtare, por vetëm në ato për poste qeveritare. Mbase negociatat e vërteta janë mes SHBA-së dhe Serbisë, e delegacioni kosovar është ndërmjetësuesi i panevojshëm”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, s’mund të ketë marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve.

Tutje Kurti ka thënë se pa pasur vlerësim të marrëveshjeve të shkuara, pa paraqitur kërkesat ndaj Serbisë dhe pa pasur platformë e ekip negociator, s’mund të ketë marrëveshje të drejtë e të qëndrueshme mes shteteve.

Edhe Ahmeti: Kurti ka zhvilluar takime me Vuçiqin më shumë se secila qeveri tjetër Arbëri Ahmeti: Kurti ka zhvilluar takime me Vuçiqin më shumë se secila qeveri tjetër

Ai ka thënë se Kosovës nuk i mjafton vetëm njohja nga Serbia. “Serbia na ka shumë më shumë borxh”, ka shtuar ai.

E ka quajtur çmenduri “idenë që të kryhet marrëveshja shpejt e shpejt pa përfshirjen e partisë më të madhe në vend”.

Ai ka shtuar se pa parapërgatitje për procesin e dialogut “do të shkojmë drejt një dështimi tjetër”.

Ish-kryeministri Kurti ka kritikuar menaxhimin e situatës me COVID-19 nga Qeveria Hoti. Sipas tij “përderisa një e treta e kabinetit është larg ndoshta edhe përmirësohet situata shëndetësore në vend”.

Edhe Kurti: SHBA-ja nuk duhet të presë që ta shohë Beogradin me sytë e DASH-it Arbëri Kurti: SHBA-ja nuk duhet të presë që ta shohë Beogradin me sytë e DASH-it

“Sa më shumë prej tyre në Kosovë aq më keq për Kosovën. Na ngelet pak merak pse s’e morën edhe ministrin e Shëndetësisë me vete”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Armend Zemaj “është ministër i Shëndetësisë vetëm sepse i ka qëlluar kjo ministri”.