Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Do të sigurojmë banim për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qasja e Qeverisë së tij do të jetë progresiste. Ai ka thënë se do të sigurohet banim për të gjithë.

Kurti i ka thënë këto fjalë në takimin e Komitetit Këshillues të Projektit (KKP), ku është diskutuar rreth studimit të fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë.

“Si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dua t’ju siguroj që qasja jonë në këtë dhe mandatet tjera do të jetë progresiste. Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme. Nuk do ta lëmë askënd prapa, nuk do ta lëmë askënd jashtë. Do të sigurojmë banim për të gjithë. Jo vetëm strehim, por banim të dinjitetshëm. Individual e social. Për familjen. Për komunitetin. Për shoqërinë. Për Republikën”, tha Kurti.

Kurti bëri të ditur se gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësohet banim i përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes programit “120x120” dhe “150x150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.