Arbëri

Kthehet në pikën zero puna e tri komisioneve hetimore parlamentare

Prishtinë, 3 janar - Puna e tri komisioneve hetimore parlamentare të legjislaturës së shtatë do të kthehet në pikën zero. Komisioni hetimor për procesin e privatizimit, Komisioni hetimor për procesin e operimit dhe licencimit të hidrocentraleve, si dhe Komisioni për menaxhimin e pandemisë do t’i përpilojnë draft-raportet nga gjetjet e deritanishme, por ato nuk do të kenë mundësi t’i dorëzojnë në Prokurori. Kjo, pasi që raportet pasi të përfundohen plotësisht duhet që fillimisht të miratohen në seancë plenare, por, për këtë legjislaturë seancën e fundit Kuvendi e ka mbajtur të martën. Raportet e komisioneve hetimore nuk prodhojnë kurrfarë efekti juridik. Që nga fillimet e tij Kuvendi i Kosovës i ka pasur gjithsej 11 komisione hetimore dhe vetëm një prej tyre ka arritur të dorëzojë raport përfundimtar në Prokurori. Kryesuesja e Komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19, Mimoza Kusari, ka theksuar se e gjithë puna e gjatë me mbi 25 të intervistuar do të kthehet në fillim, pasi që me ligj nuk parashihet vazhdimi i mandatit të komisioneve nga një legjislaturë tjetër.

“Siç është e paraparë me Ligjin për hetimin parlamentar, ky raport do të duhej të miratohej në seancë plenare e që nuk do ta ketë rastin, për shkak se shumë shpejt pas vendimit të gjykatës Kuvendi shpërndahet me automatizëm. Ndërsa ato draft-raporte ose edhe nëse arrin të bëhet raporti përfundimtar mbeten në pronësi të Kuvendit nëse dikush dëshiron t'i shohë. Por nuk ka përcjellje në legjislaturën tjetër”, ka deklaruar Kusari.

Ky komision u formua me kërkesë të PDK-së dhe sipas Kusarit nuk ka qenë i nevojshëm pasi që temën e njëjtë e ka trajtuar edhe Prokuroria.

“Komisionet hetimore mund të funksionojnë kur ka dyshime të bazuara dhe kur nuk ka lëvizje nga ana e Prokurorisë. Por në momentin kur çështjet deklarohen edhe publikisht se tashmë i ka marrë prokuroria në hetim, unë konsideroj që është humbje e kohës dhe e buxhetit që të njëjtën punë të mundohen ta bëjnë edhe deputetët”, ka thënë Kusari, teksa e ka kritikuar qasjen e njëanshme të PDK-së karshi menaxhimit të pandemisë nga të dy qeveritë e fundit.

“PDK-ja, e cila ishte iniciuese e këtij komisioni hetimor për Qeverinë Kurti, ishte shumë e qetë dhe aspak e zëshme për skandalet e njëpasnjëshme pastaj të Qeverisë Hoti dhe ministrit Zemaj”.

Kryesuesja e Komisionit hetimor për operimin dhe licencimin e hidrocentraleve, Eliza Hoxha, është shprehur e shqetësuar që nuk do ta kenë mundësinë e përmbylljes së punës së Komisionit me një raport të miratuar nga Kuvendit. Por, ajo ka thënë se pavarësisht që raporti nuk do të ketë mundësi të shkojë në seancë, do ta përpilojnë për ta lënë në arkivin e Kuvendit.

“Ne kemi pasur shumë dëshirë që si komision ta lëmë një dokument, një draft, i cili në një moment tjetër, në një legjislaturë të re, nëse është prapë e nevojshme të punohet në këtë temë, atëherë do të ketë të paktën mundësi të mos nisë në pikën zero, por në arkiv do t'i ketë edhe transkriptimet nga të gjitha intervistat që i kemi bërë”, ka thënë ajo.

Sipas Hoxhës, meqë nuk ka pasur kohë më të gjatë për hetim, Komisioni e ka të pamundur të përpilojë raport me rekomandime për të shmangur paragjykimet e mundshme. Ajo ka thënë që do të sigurohen që ta hetojnë çështjen e operimit e licencimit të hidrocentraleve edhe në legjislaturën e ardhshme.

“Nëse do të kemi fatin kushdo prej nesh që kemi qenë në komision, që të jemi prapë në legjislaturën e re, është zotim i yni që përveç çështjes së hidrocentraleve ta përfshijmë edhe çështjen e gurthyesve në Kosovë, meqenëse kanë ndikim tejet negativ në jetën tonë të përgjithshme”, ka përfunduar ajo.

Komisionet hetimore kanë mandat më së shumti 6 muaj dhe brenda këtyre muajve duhet të paraqitet edhe raporti përfundimtar.