Arbëri

Kryetarja jonë, Angela Merkel

Foto: Koha

1.

R0 mund të jetë tash e tutje njësia kryesore matëse e veprimeve të qeverive të shteteve, të komunave e bashkive, të fabrikave, të veturave e të minierave të kromit, të federatave sportive e festivaleve kulturore. Po edhe të shkollave e universiteteve e të gjitha veprimtarive të tjera sociale.

R0 është matësi i riprodhimit të virusit korona. Kur R0 është 1, kjo do të thotë që gjendja është e atillë në atë mjedis (qytet, shtet, kontinent) që një person e infekton një tjetër. Sa më shumë rritet vlera R0 aq më shumë rritet numri i të infektuarve prej një personi.

Dhe, ky do të jetë në thjeshtësinë e tij, kuti matës i veprimeve të Gjermanisë në të ardhmen. Në shpjegimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, nëse R0 qëndron te 1, ku është aktualisht dhe shënon se kurba infektive është e sheshtë, kjo është një gjendje e menaxhueshme për shëndetësinë gjermane, pra, edhe për shtetin gjerman. “Nëse mbërrijmë në pikën ku secili infekton 1.1 persona, atëherë deri në tetor do t’i mbërrijmë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor, duke e pasur parasysh numrin tonë të shtretërve në kujdesin intensiv. E nëse mbërrijmë në 1.2 veta, pra secili i infekton 20 për qind më shumë, atëherë do t’i mbërrijmë në korrik kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor”, ka deklaruar kancelarja gjermane, duke shtuar se kapacitetet mbërrihen në qershor me 1.3 veta.

Me shpalljen e një modeli, ta quajmë R0, Gjermania prej dje zyrtarisht hyri në fazën e dytë të luftës kundër COVID-19, atë të bashkëjetesës me koronavirusin. Pra, mund të bashkëjetohet përderisa rri në shkallën 1 apo më poshtë. Dhe përderisa rri në këtë nivel, shoqëria mund të hapet gradualisht - njëherë hapen shitoret e librave, të biçikletave e automobilave, në maj do të mendohet për disa shkolla, e kështu me radhë - përderisa R0 të mund të mbahet te 1 ose më pak. Nëse ka ngritje, dhe ky vlerësim bëhet çdo dy javë, rikthehen masat më restriktive.

2.

Këto shpjegime në më pak se dy minuta të kancelares mund të jenë njëri prej momenteve kthesë për jetën e qytetarëve të Evropës, përfshirë edhe tonën, në këtë që duket skutë e fshehur e saj.

Për herë të parë u shpjegua nga një lider shteti një formulë empirike për veprime në një pandemi të papërjetuar në këtë gjeneratë. Për më tepër, një formulë empirike, e cila del si rezultat i konsultimit të gjerë politik me të gjitha njësitet federale gjermane (pra edhe në masë të madhe të spektrit politik), si dhe një paneli prej 26 shkencëtarësh, ku janë të përfshirë edhe psikologë bihevioristë dhe akademikë të etikës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.