Arbëri

Kryetari i Fushë-Kosovës i faturoi vetes punë që nuk i kreu

Një urë që nuk ekziston e një ambulancë që ka qenë donacion, Komuna e Fushë-Kosovës i ka futur në raportin e punës së kryetarit, si projekte të vetat të realizuara gjatë vitit 2021. Zyrtarë të komunës, për KOHËN, kanë pohuar se ndërtimi i urës është anuluar dhe se ambulanca ka qenë donacion, porse përse i kanë futur si projekte të realizuara nga komuna, nuk u përgjigjën

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, i faturoi vetes punë që nuk i kreu.

Në raportin e tij për punën e organeve të Komunës për vitin 2021, si projekt i realizuar gjatë atij viti është përmendur edhe ndërtimi i një ure në fshatin Sllatinë e Vogël.

Por, ndryshe është gjendja në terren. Në Sllatinë të Vogël qytetarët thonë se kanë vetëm një urë që i lidh me një fshat tjetër dhe e cila është ndërtuar në vitet ‘70.

Ura e “realizuar” e kryetarit, përveç që nuk është ndërtuar, sipas opozitës në Fushë-Kosovë, nuk ka as ku të ndërtohet.

“Në raportin e punës së Komunës së Fushë-Kosovës, konkretisht kryetarit, figuron ndërtimi i asaj ure si projekt i realizuar gjatë vitit 2021. Mirëpo, fakti është krejt ndryshe, në fshatin Sllatinë e Vogël, ku edhe është paraparë të ndërtohet ajo urë, nuk ka urë, nuk është ndërtuar asnjëherë dhe gjeografikisht në këtë fshat këtu ku jemi nuk ka vend për një urë sepse lumi kalon nëpër një fshat tjetër që është Bardhi i Vogël”, ka thënë Arlind Imeri, nga dega e PDK-së në Fushë-Kosovë.

Të pyetur nga KOHA, zyrtarët e komunës janë përgjigjur shkurt se ura nuk është ndërtuar, por për arsyet se përse ajo është futur në raportin e punës së kryetarit si projekt i realizuar, ata nuk kanë dhënë përgjigje.

“Ura në Sllatinë të Vogël nuk është ndërtuar, projekti është anuluar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë-Kosovës.

Në komunë janë pyetur edhe nëse janë ndarë mjetet për këtë urë, apo edhe nëse janë shpenzuar ato, porse përgjigjja ka munguar sërish.

Sipas opozitës, mungesa e transparencës së komunës ngre dyshime për shpenzim të atyre mjeteve.

“Ne nuk kemi informacion nëse mjetet janë ndarë, mirëpo pasi ajo është futur si projekt i realizuar gjatë vitit 2021, sigurisht që janë ndarë edhe mjetet. Komuna e Fushë-Kosovës nuk është aspak transparente sa u përket shpenzimeve dhe projekteve të cilat i realizon”, ka shtuar zyrtari i PDK-së në këtë komunë, Imeri.

Në këtë raport të punës, ka edhe projekte të tjera për të cilat në letër komuna i ka marrë meritat për vete.

Aty thuhet se gjatë vitit 2021 komuna e ka bërë edhe ndërtimin e ambulancës në Bardh të Madh.

Por në pllakën e saj shkruan se projekti është implementuar nga duart e bamirësisë dhe se Komuna e Fushë-Kosovës në këtë projekt ka pasur vetëm rol mbikëqyrës.

Në Komunën e Fushë-Kosovës ka edhe ambulanca të tjera të ndërtuara, të cilat kanë qenë donacione.