Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot me kërkesë të mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili i ka kërkuar caktimin e datës së mbajtjes së seancës për votimin e ekzekutivit.
Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kërkuar që kjo seancë të mbahet më 3 shkurt, përkatësisht ditën e hënë.
VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se Kurti nuk i ka njoftuar se do të thërrasë seancë për votimin e qeverisë.
Ismet Beqiri nga LDK i ftuar në Interaktiv ka thënë se është optimist dhe ka ende hapësirë që marrëveshja VV-LDK do të arrihet në këto dy ditë.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputetja nga radhët e grupit parlamentarë të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari.
Ndërkaq të dyja partitë end nuk kanë konfirmuar një takim mes liderëve.