Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Të bëhemi bashkë që krimet serbe të dihen botërisht

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh të institucioneve në Kosovë e Shqipërisë për të ngritur zërin për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Në vizitën e saj të parë nga pozicioni i ri politik, Nikolla ka thënë se ndihet e emocionuar që gjendet në Kosovë. Ajo ka thënë se ka hapësirë të mjaftueshme për të shtuar bashkëpunimin.

Bashkimin Evropian e ka quajtur destinacion të të dyja shteteve.

“S’kemi kohë për të humbur. Të fillojmë me forca të shtuara, me sinergji të re bashkëveprimi e bashkërendimi që rezultatet të jenë edhe më të prekshme. E theksova edhe në fjalën time teksa mora detyrën që bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Parlamentin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës sime në përgjegjësinë e lartë në drejtimin ep unëve të Kuvendit të Shqipërisë. Sot ramë dakord për të nxitur bashkëpunimin e jo vetëm ta lëmë në planin emocional e të dëshirave, por të bashkërendojmë me plan konkret takimesh e agjendash e fokus për rezultate për qytetarët. Do të institucionalizojmë mbledhjet e komisioneve dhe delegacioneve parlamentare. Të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë të rivitalizojmë njohjet e reja për Kosovën dhe të ndalim ofensivën e Serbisë për çnjohje. Krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht e të dijë bota se Serbia ka kryer krime ndaj njerëzimit”, ka thënë ajo në konferencën e përbashkët me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, Konjufca ka thënë se Kosova është përherë falënderuese për mbështetjen që ka dhenë Shqipëria. Ai ka thënë se vendin e presin shumë sfida, por përkrahja e Shqipërisë e mbush me kurajë Kosovën.