Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryemadhi heq dyshimet, LSI-ja i bashkohet PD-së në djegien e mandateve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka dhënë fund dyshimeve për bashkimin ose jo të LSI-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e tjerë opozitarë në vendimin për të djegur mandatet parlamentare.

Në një paraqitje për mediat nga selia e LSI-së, pas mbledhjes së grupit parlamentar ku ka pasur edhe debate të forta, Kryemadhi ka sqaruar se partia që ajo drejton sheh si rrugëzgjidhje të vetme për kushtet ku gjendet vendi, vetëm djegien e mandateve.

“Grupi Parlamentar i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisë. Prandaj ai vendosi djegien e mandateve dhe mandaton kryetaren e LSI-së për të ndërmarrë të gjithë hapat statutorë e politikë në përmbushje të këtij vendimi”, tha Kryemadhi, përcjell Shqip, transmeton Koha.net.

Kryetarja e LSI-së, theksoi se vendimi është marrë duke u mbështetur plotësisht në zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar për një qeveria tranzitore që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.