Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KRUP thirrje të shpenzohet racionalisht uji i pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina", prapë ka kërkuar që uji i pijshëm të shpenzohet racionalisht, në mënyrë të krijimit të kushteve elementare për të ardhmen e fëmijëve.

KRUP thotë se uji duhet shpenzuar racionalisht jo vetëm gjatë ditëve të nxehta në hapësirë por, ai duhet kursyer edhe gjatë stinëve të ftohta, duke kontrolluar shpenzimin e ujit në objekte të mbyllura, në shtëpi, banesa , institucione apo biznese.

“Ne e hapim çdo ditë rubinetin në banimet tona, për të pirë ujë, për të zier gjëra ushqimore, për të larë duart e pastruar fytyrën, për nevoja higjienike. E dimë, se s’ka gjë më të lehtë e më të shpejtë sesa hapja dhe mbyllja e një rubineti në shtëpitë tona. Por a e dini se, rruga e trajtimit të ujit të pijshëm është e gjatë, e mundimshme dhe ka një kosto të lartë derisa të vie në krojet tona të banimit. Energji elektrike, pompa, pajisje, kimikate, gypa primar sekondar e terciar, derivate, fuqi punëtore, dije dhe investime, pra është një proces i gjatë që kushton. Menaxhimi i sistemit të ujësjellësit të Prishtinës për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe të pastër, kushton!”, thuhet në komunikatën e KRUP.

KRUP, gjithashtu kujton se “1000 litra ujë i trajtuar kushton vetëm 0,43 euro, derisa nëse ne e blejmë në dyqane një shishe të ambalazhuar prej 1.5 litra kushton po aq sa 1000 litra ujë të ujësjellësit , që ne e sjellim në krojet tuaja, por edhe i monitoruar vazhdimisht me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike nga laboratori i akredituar i kompanisë tonë dhe njëkohësisht i monitoruar edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës”.

“Të nderuar konsumatorë, uji i pijshëm i KRU ”Prishtina” sh.a. është i lirë dhe i pastër, i përshtatshëm për ju, qoftë në aspektin ekonomik poashtu edhe shëndetësorë. Paguani faturat për këtë shërbim dhe besoni që, çdo pagesë e juaja do të iu kthehet direkt në investime afatgjate infrastrukturore për ujë e kanalizim, nëse jo për ju, për të ardhmen e fëmijëve tuaj!”, përfundon komunikata.