Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronologjia e ngritjes dhe e rënies së Isa Mustafës

Vetëm dy orë i janë dashur Isa Mustafës në dhjetorin e vitit 2014, që të lë pas bashkëpunimin 6 mujor me opozitën, për të hyrë në gjirin e PDK-së, raporton KTV.

Me bekimin e ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson, tek zyra e Presidentes Jahjaga Mustafa iu shtriu dorën kundërshtarit më të madh politik, Hashim Thaçi. Koalicioni i Elefantëve u zyrtarizuar më 19 dhjetor me nënshkrimin në Kuvend.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për herë të parë qeverinë nën udhëheqje e mori LDK-ja dhe Isa Mustafa u bë kryeministër, Kadri Veseli kryeparlamentar e Hashim Thaçi do të priste më shumë së një vit për President.

Mustafës, qeverinë në fytyrë disa deputetë të tij ia votuan kundër, siç ia kundërshtuan edhe zgjedhjen e Veselit në krye të Kuvendit.

Pak pasi festoi Vitin e Ri si kryeministër, Mustafa u ballafaqua me presion të madh popullor që rezultoi me protesta të dhunshme në rrugë.

Shkas u bë deklarata skandaloze e ministrit të Listës Serbe Jabllanoviq që i quajti nënat gjakovare egërsira.

Mustafa fillimisht rezistoi,por në fund e shkarkoi Jabllanoviqin. Më vonë gjatë verës së vitit 2015,nënshkroi në Bruksel Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, një ditë pasi që ministri i tij i jashtëm, Hashim Thaçi në Vjenë nënshkroi demarkacionin me Malin e Zi.

Dhe, nga aty këto do të ishin temat e krejt mandatit të tij të përgjysmuar.

Në shtator 2015, nisi odiseada e ballafaqimit fizik me opozitën që e gjuajti me vezë si fillim. Më pas, muaj të tërë, krejt çka pa Kuvendi i Kosovës ishte gaz, përleshje, molotov dhe prapë gaz.

Mustafa nuk dorëzohej, insistonte që të dyja marrëveshjet janë në rregull. Në pauzë të të dyja temave të mëdha, u angazhua fort që ta respektojë marrëveshjen dhe ta bëjë Hashim Thaçin President.

Për këtë pati problem me disa deputetë të partisë së tij, për ti bindur që së paku ta bëjë kuorumin, natyrisht në mes të gazit brenda e molotovit jashtë.

Pas verës, provoi ta miratojë Demarkacionin në Kuvend, më 1 shtator, por votat nuk i kishte.

Lista Serbe nuk u duk fare në Kuvend, dhe ai e tërhoqi propozimin e qeverisë në momentet e fundit. Në nisje të mandatit të koalicionit të ri qeveritar, mijëra njerëz mblidheshin çdo natë në stacioni e autobusëve në Prishtinë për të mësyrë Hungarinë ilegalisht. Thanë që nuk shihnin shpresë në Kosovë, dhe kërkonin mundësi më të mirë në shtetet e BE-së.

Tani që Mustafa e përfundoi qeverisjes shumica dërmuese janë detyruar të kthehen. Për bërjen e ushtrisë nuk e mori iniciativën qeveria e Mustafës, por ai që e kishte premtuar vetë shumë vjet, presidenti Thaçi. LDK-ja kishte rezerva për shkak të moskoordinimit me ndërkombëtarët.

Në këtë mandat të Mustafës, ka shkuar pothuajse në fund çështja e pagesave të veteranëve, me vërejtjet e FMN-së për kategorizimin e tyre. Si ekonomist, Mustafa është mburrur me politikat fiskale.

Thotë se ua ka lehtësuar kosovarëve të bëjnë biznes dhe gjithashtu ka marrë vendim për faljen e borxheve të vjetra, që vazhdon deri në shtator të këtij viti. Dialogun me Serbinë nuk e ka ndaluar. Përkundrazi, ka nënshkruar marrëveshje të reja për drejtësinë e telekomin, dhe Kosova shpejt pritet të nisë së përdoruri Kodin +383.

Në mandatin e Mustafës është nënshkruar marrëdhënia e parë dhe me rëndësishme zyrtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit. Ka bërë një sërë vizitash ndërkombëtare, duke ruajtur marrëdhëniet e veçantë me grupin e partive parlamentare të djathta evropiane, EPP. Dhe, është pritur si askush tjetër në Berlin nga kancelaria Angela Merkel, që i ka dhënë gjithë përkrahjen e Gjermanisë. Në këtë kohë është marrë personalisht me secilin që e ka kritikuar ose ka menduar ndryshe. E ka quajtur gomar Albin Kurtin, e ka akuzuar Ramush Haradinajn për vrasjet në Radoniq,i ka akuzuar gratë e shoqërisë civile që ‘kullosin’ fonde, e ka krahasuar AAK-në me rriqrat vdekjeprurëse të Malishevës... Ka thënë që në qeverisjen e tij nuk ka pasur skandale e as njerëz të korruptuar. Por, është raportuar se veturat e qeverisë janë rregulluar në autoservisin e djemve të tij, e së paku dy ministra janë nën aktakuzë – Ferid Agani dhe Dalibor Jevtiq.

E teksa pritet t’u drejtohen kutive të votimit, kosovarët nuk ia shijojnë të mirat vendeve të BE-së sepse nuk lëvizin dot pa viza. Kjo qeveri nuk e ka përmbushur kushtin e fundit për liberalizim – miratimin e demarkacionit.

Isa Mustafa nuk ka bindur dot deputetët e partisë së tij për ta votuar, dhe ka provuar ta vë në sprovë PDK-në duke e lënë votimin pas mocionit. Mundësi, që nuk i erdhi kurrë, me përfundimin e mandatit pa pasur çfarë të thotë.