Arbëri

Kronika zgjedhore / Hoxhaj premton rritje të cilësisë në arsim e rritje pagash për mësimdhënësit

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, kritikoi dy qeveritë e kaluara për mosmenaxhim të pandemisë, si dhe për cilësi të ulët të arsimit. Në tubimin e mbajtur në Korroticë të Drenasit ai premtoi rritje pagash për mësimdhënësit.

“Së pari çfarë ndodh në shkollat tona varet se kush është mësimdhënësi, prandaj nuk mund të ketë cilësi në arsim pa rritje të pagës së tyre. Ne kemi vendosur që në arsimin fillor atë ta bëjmë 700 euro, në arsimin e mesëm 800 e ne arsimin e lartë mbi 1 mijë euro. Nuk mund të ketë përkushtim me pagën që e keni sot, ne jemi që ta mbrojmë dinjitetin tuaj”, tha Hoxhaj para të pranishmëve.

Hoxhaj tutje ka përmendur kohën kur ka qenë në Qeveri PDK-ja, duke thëne se vetëm kjo parti mund ta ndryshojë gjendjen në arsim dhe se vetëm PDK-ja mund të qeverisë për 4 vjet.

Ai ka premtuar edhe ndërtimin e 60 çerdheve në nivel të Kosovës.

Krahas Hoxhajt, protagonist kryesor në tubimin e PDK-së ishte kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai personalisht është përkujdes për mbarëvajtjen e tubimit në një restorant të komunës që drejton ai. Përveçse priti me radhë mysafirët, ai atyre u dhuroi edhe nga një maskë mbrojtëse. Por vetë nuk e vendosi një të tillë.

Lladrovci edhe ishte i pari që mbajti fjalimin. Me të pranishmit ai ndau një histori që kishte me ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

“Kur më ftoi Kadri Veseli të kandidoja për kryetar komune pati vetëm një kërkesë, që të punojë me ndershmëri. Komuna e Drenasit u bë shembull për të gjithë. Kur e mora detyrën isha i përkushtuar ta ngre arsimin në komunën tonë. Sot i dashur kryeministër Hoxhaj, arsimi në Drenas është rritur“, tha Lladrovci.

Ai renditi edhe disa suksese që janë arritur në komunën që ai e udhëheq, ku edhe tha se shumë shkolla të kësaj komunë kanë dalë të parat në shumicën e garave që janë mbajtur. Lladrovci përmbylli fjalimin e tij me një fjali më ndryshe.

“Zotëri kryeministër në ardhje. Drenasi qëndron unik pavarësisht disa zërave të krimbave dhe të pleshtave. Do të jetë unik deri në fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës në këtë takim elektoral kishte vendosur që të shpalosë programin për arsim. Muzafer Shala, nga kjo parti, ishte ai që përmendi premtimet që i kanë listuar në programin e tyre.

“Ky program në fazën e parë përfshin reagimin e shpejtë në përmirësimin e procesit mësimor si pasojë e keqqeverisjes në kushte pandemie të dy qeverive të fundit, ku me veprime konkrete do të bëhet funksionalizimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sigurimi i pajisjeve të nevojshme për mbarëvajtje të mësimit në distancë, zbatimi dhe mirëmbajtja e Sistemit për Menaxhimin e Mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mbarëvajtjen e mësimit në distancë apo virtual, rritja e stafit mbështetës në shkolla”, tha Shala.

Ai shtoi se programi i PDK-së për rimëkëmbje të arsimit u garanton 330 mijë nxënësve dhe 100 mijë studentëve përgatitje cilësore që të jenë konkurrentë me bashkëmoshatarët e tyre dhe u jep dinjitet 25 mijë mësimdhënësve të kualifikuar.

Edhe në tubimin e së hënës të mbajtur në Korroticë të Drenasit u shfaq videoja e njëjtë sikurse e para një dite që u shfaq në Ferizaj. Aty ishin të përmbledhura sekuenca të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ku nuk mungonin as fjalimet e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.