Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kritikohet mosbashkëpunimi ndërinstitucional, bëhet thirrjet për veting

Java Kundër Korrupsionit, në ditën e tretë, në thelb të diskutimeve ka pasur drejtësinë dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar kjo fushë.

Në tryezën për reforma në sistemin e drejtësisë dhe rishikimin funksional të kësaj fushe, akterë vendës e ndërkombëtarë, diskutuan për sfidat e këtij sektori, raporton KTV.

Për rishkimin funksional, foli sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, sipas të cilit, me këtë proces synohet identifikimi i pengesave kryesore dhe masat për adresimin e tyre.

Megjithatë, për Ministrinë pati ankesa ish-kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, sipas së cilës komisioni ishte lënë jashtë kësaj nisme.

Haxhiu ka përsëritur thirrjet për vetting, si e vetmja mundësi për ta kthyer besimin e qytetarëve në drejtësi.

Ndërmjet diskutimeve në këtë tryezë, organizata ÇOHU ka prezantuar edhe gjetjet e saja nga monitorimi dyvjeçar i sistemit të drejtësisë.

Në raport theksohet se në vitin 2017 ishin vjetërsuar mbi 20 mijë lëndë në gjykata të vendit, derisa pavarësisht 80 lëndëve të dërguara në Zyrën e Prokurorit Disiplinor nga “Çohu”, nuk është identifikuar ndonjë rast ndëshkimi për gjyqtarë.

Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve u pa si problem nga ana e panelistëve.

Diskutimi ka qenë pjesë e aktiviteteve të ditës së tretë të Javës Kundër Korrupsionit, që ka nisur të hënën dhe përfundon të premten.

Artikuj të ngjashëm