Planprogrami mësimor parasheh që për nxënësit e klasave të 12-a, tema e luftës në Kosovë të trajtohet vetëm gjatë gjysmëvjetorit të dytë, e përmbledhur në më pak se 5 faqe të librit të historisë. Mësimdhënës të historisë kanë vlerësuar se në këtë literaturë nuk trajtohen mjaftueshëm faktet kyç, të cilat i portretizojnë krimet e kryera nga forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndërsa kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në kurrikulë
Mbi përjetimet dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999, nxënësit në arsimin parauniversitar mësojnë vetëm gjatë klasës së nëntë dhe asaj të dymbëdhjetë, në kuadër të librave të lëndës së historisë.
Planprogrami mësimor parasheh që për nxënësit e klasave të 12-a, tema të trajtohet vetëm gjatë gjysmëvjetorit të dytë, e përmbledhur në më pak se 5 faqe të librit të historisë. Mësimdhënës të historisë kanë vlerësuar se në këtë literaturë nuk trajtohen mjaftueshëm faktet kyç, të cilët i portretizojnë krimet e kryera nga forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Nexhmie Paqarizaj, profesoreshë e historisë në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ka treguar se në literaturën shkollore nuk janë të përfshira krimet dhe masakrat mbi popullsinë shqiptare.
“Fatkeqësisht kemi shumë pak sa i përket Luftës Çlirimtare. Është fundi i gjysmëvjetorit të dytë dhe nxënësit shumë pak arrijnë që të mësojnë, për sa i përket luftës së fundit. Është një periudhë për të cilën nxënësit duhet të dinë më shumë mbi luftën e fundit dhe besoj që në të ardhmen, nëse ndryshohet diçka, këto tema duhet të zgjerohen sa më shumë”, ka thënë ajo.
Bleron Paqarizi, maturant në gjimnazin “Ahmet Gashi”, ka thënë se prej kur e ka nisur gjimnazin nuk ka mësuar asgjë rreth luftës së fundit në Kosovë, me gjithë që lënda e historisë është e përfshirë në secilin vit shkollor të arsimit të mesëm.
“E vlerësoj shumë absurd faktin që këto dy-tri javët e fundit kemi mësuar dy-tri mësime për Serbinë, e tre vjet asnjë mësim nuk e kemi për luftën e fundit në Kosovë. Është absurde që njëherë të mësojmë për armikun e jo për vendin tonë”, ka thënë ai.
Në kapitullin “Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe betejat kryesore 1997-1999”, të librit prej të cilit gjimnazistët e mësojnë historinë, përfshihen ngjarja e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ajo e rezistencës së familjes Jashari gjatë luftës, bombardimet kundër caqeve ushtarake e policore të ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike e NATO-s dhe disa rrethana të tjera.
Në nivelin e mesëm të ultë, nxënësit fillojnë që mbi agresionin e forcave serbe ndaj shqiptarëve të mësojnë në klasën e nëntë, nëpërmjet dy njësive mësimore.
Egzona Bislimi, arsimtare e historisë në shkollën fillore të mesme të ultë “Emin Duraku”, ka thënë se në librin e historisë për klasën 9 janë përfshirë njësi mësimore, të cilat janë me interes për nxënësit dhe që mund të zëvendësohen me njohuri mbi luftën në Kosovë.
“Konkretisht për luftën e fundit të viteve 1998-99 i kemi dy njësi mësimore ku mësojmë për Luftën e UÇK-së e ndërhyrjen e NATO-s. Dhe i kemi krimet ndaj popullsisë, masakrat, dëbimet nga shtëpia... Mund t’i japim theks më shumë luftës së fundit dhe ka hapësirë, sidomos në klasën e nëntë, ku mund të përfshijmë edhe njësi mësimore të tjera”, ka thënë Bislimi.
Rastet e rreth 20 mijë personave të cilët llogariten se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë përmenden vetëm në një fjali në librin e historisë për klasë të nëntë.
“Dhuna seksuale ishte një tjetër veprim kriminal i regjimit të Millosheviqit, pasi përdhunimet u përdorën qëllimisht për të terrorizuar popullsinë civile”, është rreshti që e përkufizon çështjen e dhunimeve seksuale të luftës.
Organizata “Medica Gjakova”, nëpërmjet projektit: “Përforcimi i zërave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka filluar trajnime me mësimdhënës të lëndës së historisë mbi ligjërimin e çështjes së dhunës seksuale gjatë luftës.
Salie Osmankaq, hulumtuese në projektin e “Medica Gjakova”, ka theksuar se pas hulumtimeve të bëra me libra shkollorë për klasat 11 dhe 12 është evidentuar mungesë e trajtimit të kësaj teme.
“Ne i kemi analizuar librat shkollorë dhe ka rezultuar se në këta libra nuk ekziston asnjë fjalë e vetme për dhunimet e ndodhura gjatë luftës. Në nivelet më të ulëta, ne as që presim se do të ketë ndonjë evidencë, përderisa fëmijët tanë të rinjtë nuk e kanë idenë në lidhje me këtë”, ka thënë ajo.
Bujar Dugolli, profesor universitar dhe njëherësh njëri prej autorëve të librit të historisë për klasën e nëntë, ka thënë se problemi qëndron te kufizimi i vendosur në planprogramet mësimore. Ai ka theksuar për përfshirjen e kapitujve të veçantë mbi luftën e fundit duhet të bëhen ndryshime në kurrikulë.
“Në kurrikulë janë të parapara pak njësi. Ne jemi munduar që ato t’i zgjerojmë. Ne e kemi shtuar numrin e faqeve në krahasim sesi ka qenë më herët. Mendoj se kurrikula duhet të ndryshohet, që të përfshihen të gjitha zhvillimet gjatë luftës dhe të fliten në mënyrë specifike”, ka thënë Dugolli.
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse ndryshimet e kërkuara në planprogram do të realizohen.