Arbëri

Krasniqi: Të premten betohet kryetari i Mitrovicës së veriut

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se të premten do të mbahet seanca për dhënien e betimit të kryetarit të zgjedhur të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Artiq, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Krasniqi këtë e tha pas përfundimit të takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarët e komunave, ku shtoi se janë dakorduar që individualisht me secilën komunë veriore do ta organizojnë seancën e dhënies së betimit të kryetarit, si dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit.

“Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacionin në Ministrinë e Pushtetit Lokal që të premten do të organizohet seanca për dhënien e betimit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit të Kuvendit Komunal, Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka thënë ai.

Krasniqi ka njoftuar se betimi do të bëhet në sallën e Kuvendit komunal.

“Në sallën e Kuvendit komunal, aty ku edhe e kanë vendin dhe asamblistët edhe kryetari i komunës. Ligji e ka parapa secilin aspekt të organizimit të seancave të kuvendit, tash po flasim për Mitrovicën e Veriut, ftesa ka ardhur, Mitrovica e Veriut vazhdon me i mbajt seancat në sallën e Kuvendit komunal, aty do të jetë edhe seanca e së premtes, aty do të jepet edhe betimi i kryetarit të Komunës dhe mandej në koordinim me kryetar të tjerë do ti organizojmë edhe seancat e tjera konstituive të kuvendeve dhe dhënien e betimit, ne do të respektojmë si qeveri vullnetin e të zgjedhurve të qytetarëve në ato komunat veriore”, ka thënë ai.