Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Lista Serbe duhet të shpallet e jashtëligjshme, Thaçi kumbara i saj

Romaket e vjetër thonë: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Edhe për sa i takon Listës Serbe, me të gjitha veprimet e saja që nga hyrja në zgjedhje e pastaj në Kuvend, krejt deri më sot, ka treguar se ka qenë dhe është antikushtetuese dhe si e tillë duhet të shpallet e jashtëligjshme, thotë ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook ai thotë se, “veprimi i sotshëm kërcënues i Listës Serbe, është dëshmia më e mirë e kësaj që po e them”.

Krasniqi më tutje ka shtuar se presidenti Hashim Thaçi duhet të konsiderohet edhe si kumbara i Listës Serbe, transmeton Koha.net.

“Gjithashtu, si shkelës i Kushtetutës duhet të konsiderohet edhe kumbara i Listës Serbe, kryetari i sotshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit, Serbia moti kohë përpara e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe i kanë normalizuar marrëdhëniet mes veti. Kështu se paku ka deklaruar ai disa herë në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi shton se ka ardhur koha që ushtarët e djeshëm të UÇK-së duhet të mësohen se marrja e përgjegjësisë ka edhe anën e kundërt të saj, dhe se të padijshmit duhet të ua lëshojnë rrugën atyre që donë dhe dinë ta drejtojnë vendin.

“Vërtetë që ka ardhur koha që edhe ushtarët e djeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qofshin edhe drejtuesit e saj, të mësohen se marrja e përgjegjësisë e ka edhe anën e kundërt të saj, dhënien e përgjegjësisë për veprimet apo mos veprimet e tyre. Dikush ka kontribuar dhe ka kontribuar shumë që sot e kemi Listën Serbe të Vuçiqit në Kuvend. Nuk bëhet kiameti nëse të padijshmit ua lëshojnë rrugën atyre që donë e dinë ta drejtojnë vendin”, ka shkruar ai.