Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Kurti e përdori rastin Dehari për të ardhur në pushtet

Aktivisti i Partisë Social-Demokrate (PSD), Frashër Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka përdorur rastin e Astrit Deharit deri në momentin që i është dashur për të ardhur në pushtet, dhe më pas e ka lëshuar prej dore.

Krasniqi ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i shikojnë rastet për të përfituar elektoralisht.

“Foli në secilën fushatë e secilin tubim për të dhe prej kur ka hipur në Qeveri dhe i ka marrë 51% asnjë fjalë për Astrit Deharit, deri në ditën e përkujtimit. Që 8 muaj i ke marrë 51% e nuk e ke lëvizur asnjë gur për ta çuar drejtësinë në vend e tash del e flet në homazhe. Përderisa nuk ka drejtësi për Astritin kujt po i drejtohet Kurti, Qeverisë? A e keni parasysh se sikur të ishte dikush tjetër në Qeveri, Albin Kurti dhe VV-ja do të protestonin sot. Asnjë fjalë nuk është thënë, Kurti e ka bërë deputet babanë e Astrit Deharit në mënyrë që ai vetë të mos flasë më për Astrit Deharin”, ka thënë Krasniqi i cili bashkë me Deharin ishin të dyshuar për një sulm në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë dhe Kryeministria duhet të dalin dhe të tregojnë që nuk kanë vullnet për të vënë drejtësi për Deharin.

“Kur po u duhen mekanizmat po i gjejnë. Kur shohim se Qeveria po e bën këtë dhe për çka po e bën, atëherë ti e sheh ku i dhemb dhëmbi Qeverisë. Qeveria nuk e bën asnjë veprim kur vjen puna për rastin Dehari. Është terrorizuar opinioni publik me këtë rast për 5 vjet, nuk është e drejtë ndaj qytetarëve të Kosovës që prej pozitës së kryeministrit me dalë Albin Kurti e me thanë kërkojmë drejtësi. Nëse Qeveria s’paska mekanizma atëherë pse ka kërkuar VV-ja prej Qeverisë së kaluar që ta zbardhë këtë rast”, ka shtuar Krasniqi.

Ai ka folur edhe për vetingun, duke akuzuar kryeministrin Kurti se ai po e bën këtë proces për ta rikapur sistemin e drejtësisë.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit ku po qëndronte i burgosur për rreth dy muaj. Dehari ishte në paraburgim, nën dyshimin se ishte pjesëmarrës në një sulm në objektin e Kuvendit të Kosovës, në ditën kur Qeveria e Kosovës e kishte çuar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Lidhur me këtë sulm, pa kaluar një muaj, Policia e Kosovës pati arrestuar si të dyshuar 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në mesin e të cilëve edhe Astrit Deharin.

Rasti ndaj aktivistëve të VV-së të akuzuar për sulm ndaj Kuvendit, është kthyer në rigjykim, derisa Krasniqi ka bërë të ditur se data 7 dhjetor është caktuar për seancën e re, me trup të ri gjykues.

“Rasti është kthyer në rigjykim, tash dëgjova që është caktuar data më 7 dhjetor për seancën e re, me trup të re gjykuese dhe është një rast që fatkeqësisht është prolonguar. Në secilën pikë në të cilën gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që jemi fajtor, për secilën pikë Gjykata e Apelit ka thënë se nuk ka asnjë fakt asnjë provë për shpallje të fajësisë. Tash Kalludra është gjykatës në Gjykatën e Apelit dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu nuk e flet asnjë fjalë për këtë punë", ka thënë Krasniqi. 

 

Artikuj të ngjashëm