Jon Krasniqi, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ka thënë se nga një anketë që ka zhvilluar instituti, rreth 98 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se besojnë që Kosova do të ishte në rrezik nëse do të bëhej një Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Rreth 98 për qind e të anketuarve besojnë se Kosova do të ishte në rrezik nëse do të bëhej një Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Krasniqi të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas tij, anketa ka nxjerrë se shumica e qytetarëve të Kosovës kanë pak njohuri për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Shumica e të anketuarve apo 42 për qind nuk besojnë se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do ta përmirësojnë jetën e tyre”, ka shtuar Krasniqi.
Sa i përket sigurisë, Krasniqi ka treguar se shumica e qytetarëve shqiptarë të Kosovës e shohin Serbinë, ndërkaq shumica e qytetarëve serbë e shohin Kosovën si kërcënim kryesor për sigurinë rajonale.
“Një shumicë dërmuese e të anketuarve shqiptarë në Kosovë, apo 93 për qind e shohim Serbisë si kërcënim në rajon. Ndërsa 86 për qind e serbëve të Kosovës, e shohin Kosovën si kërcënim kryesor për sigurinë rajonale”, është shprehur Krasniqi.
Edhe Si po kufizohet Kosova me Euro-AzinëAnketa është zhvilluar gjatë muajit nëntor të vitit të shkuar, duke i përfshirë 1 mijë e 65 respondentë, prej të cilëve 865 ishin shqiptarë dhe 200 serbë nga të gjitha komunat e Kosovës.
Të anketuarit janë pyetur edhe për çështje të tjera, si anëtarësimi i Kosovës në BE, besimi në organizata ndërkombëtare, në liderët botërorë e në shtetet që perceptohen si aleate. Për 68.5 për qind të të anketuarve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kualifikuar si aleati më i çmuar i Kosovës, duke u pasuar nga Gjermania (me 15.8 për qind) dhe nga Mbretëria e Bashkuar (6.1 për qind).