Sylejman Qerkezit i shuhet shpresa që të njihet si kryetar i Partisë së Drejtësisë. Pavarësisht që më 28 shtator të 2016-ës e mori shumicën absolute të votave në një Kuvend të jashtëzakonshëm të kësaj partie.
Pas 5 muajsh, KQZ-ja konstaton se Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i Partisë së Drejtësisë nuk ishte legjitim, pasi nuk ishte thirrur në përputhje me statutin e kësaj partie, raporton KTV.
Si rrjedhojë, KQZ-ja ende e njeh si kryetar legjitim Ferid Aganin, i cili mori mandatin në Kongresin e përgjithshëm të partisë në vitin 2015, dhe ai do të vazhdojë të jetë në krye të partisë deri më 2019.
Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor për KTV-në kanë konfirmuar vendimin, duke thënë se brenda pak ditësh palët do ta marrin vendimin edhe zyrtarisht.
Në anën tjetër, Sylejman Qerkezi nuk i ka besuar lajmit. Ai i ka thënë KTV-së përmes telefonit se nuk e ka ndërmend të merret me lajme të rrjeteve sociale, pasi, sipas tij, ato nuk janë zyrtare dhe për më tepër ai është shprehur se pret që KQZ-ja ta legjitimojë si kreun e partisë.
Ndërsa, Ferid Agani thotë se vendimi ishte i pritshëm, ndonëse i vonuar.
Çarjet në Partinë e Drejtësisë nisën në mesin e vitit të kaluar, kur disa prej nënkryetarëve kundërshtuan hapur Aganin, i cili i dha mbështetje procesit të demarkacionit.