Arbëri

KQZ-ja shkel afatin ligjor, miraton me një muaj vonesë një pjesë të rregulloreve zgjedhore

Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve

Katër rregullore kanë marrë të mërkurën miratimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Edhe shumë të tjera janë në pritje të miratimit, ndonëse bazuar në afatet ligjore të gjitha do të duhej të ishin të përfunduara në fillim të janarit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkelur afatin e përcaktuar ligjor për miratimin e akteve nënligjore. Me miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja është dashur që brenda një afati kohor prej gjashtë muajsh nga hyrja e tij në fuqi, t’i nxjerrë rregulloret e parapara.

“Aktet nënligjore të parapara me këtë ligj nxirren brenda afatit prej gjashtë (6) muajsh nga hyrja e tij në fuqi. KQZ-ja obligohet që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji të bëjë harmonizimin dhe sistematizimin e stafit të administratës (sekretariatit të KQZ-së), në përputhje me këtë ligj dhe ligjin në fuqi për Zyrtarët Publikë”, thuhet në nenin 127 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ligji për Zgjedhjet është miratuar me procedurë të përshpejtuar më 8 qershor të vitit të shkuar, ndërsa ka hyrë në fuqi në fillim të korrikut 2023. Miratimi i një pjese të rregulloreve zgjedhore është bërë tek të mërkurën, në një mbledhje të Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Ne kemi punuar. Tash pasi që ka hyrë në fuqi ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme kemi qenë duke punuar në rregullore zgjedhore. Kemi trajtuar në disa punëtori të ndryshme si dhe këtu në KQZ dhe gati çdo ditë pune”, ka thënë Kreshnik Radoniqi, kryesues i KQZ-së, para se të nxjerrë në votim secilën nga rregulloret.

Ani se rregulloret janë hartuar, zyrtarë të KQZ-së kanë sqaruar se disa prej tyre kanë ngecur në procedurë të përkthimit.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se ka pranuar nëntë rregullore.

“Këto katër rregullore janë dërguar sepse me gjasë janë përkthyer apo.. i kanë edhe kolegët në gjuhën serbe-boshnajke se nuk e dija përse, se unë i kam marrë 9..”, ka thënë ai.

E kryesuesi Radoniqi e ka përmendur ditën e premte si mundësi për përmbylljen e miratimit të rregulloreve.

“Pjesa tjetër të premten besoj që do të përmbyllet”, ka thënë ai.

Javën e kaluar Radoniqi pati paralajmëruar se në mbledhjen e kësaj jave anëtarët e KQZ-së do të trajtojnë çështjen e nënshkrimeve të mbledhura në veri për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok.

KOHA ka raportuar se verifikimi i këtyre nënshkrimeve është përmbyllur nga KQZ-ja, porse konstatimi i arritjes së nënshkrimeve është duke u zvarritur shkaku i dallimeve brenda institucionit se kush duhet të caktojë datën e votimit për shkarkim.