Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja ka aprovuar 101.839 aplikacione nga diaspora, ka pranuar 131.500 të tilla

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar një raport jo përfundimtar nga shërbimi votues lidhur me periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Numri i përgjithshëm i aplikacioneve të cilat janë futur në sistem ka qenë 175 mijë e 273 aplikacione.

Pas verifikimeve janë larguar 43 mijë e 801 aplikacione si dublikate, të cilat janë dërguar nga aplikues më shumë se një herë në tre e-mailat e shërbimit votues gjatë periudhës së aplikimit. Pra, në bazë të të dhënave jo përfundimtare, KQZ-ja ka pranuar nga 13 deri më 21 janar rreth 131 mijë e 500 aplikacione për regjistrim si votues jashtë Kosovës.

Vetëm 33 aplikacione janë pranuar përmes fahut postar dhe 195 të tjera përmes faksit të KQZ-së, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, 131 mijë e 244 aplikacione janë pranuar përmes e-mailave të shërbimit votues.

Pas vlerësimit të aplikacioneve, janë aprovuar 101 mijë e 839 aplikacione për regjistrim, ndërsa janë refuzuar 29 mijë e 633 aplikacione.

Në 29 mijë e 100 raste aplikuesit janë refuzuar për shkak se nuk e kanë dëshmuar identitetin ose kriteret e zotësisë juridike apo nuk kanë nënshkruar aplikacionin për regjistrim. Në 65 raste të tjera aplikuesit janë refuzuar për shkak se në ditën e zgjedhjeve nuk arrijnë moshën 18 vjeç.

Sa për sqarim, ky nuk është një raport përfundimtar, sepse shërbimi votues akoma është duke bërë kontrollimin e dokumenteve të shtypura dhe krahasimin e tyre.

Ndërsa sa i përket verifikimit përmes telefonit, shërbimi votues i KQZ-së, respektivisht zyrtarët nga qendra e thirrjeve, janë duke vazhduar të verifikojnë përmes telefonimit aplikuesit të cilët janë të aprovuar pasi kanë kaluar kriteret e zotësisë juridike.

“Ky raport përmban numrin e aplikacioneve të pastruar prej dublikateve. Ajo çka mund të ndryshoj gjatë ditës së sotshme është kontrollimi i dokumenteve të shtypura dhe krahasimi i tyre. Ky veprim vetëm mund ta ndryshoj raportin në mes të numrit të aprovuara, ku pas shqyrtimit të këtyre dokumenteve, numri i aplikuesve të aprovuar mund të rritet, ndërsa numri i aplikuesve të refuzuar mund të pësoj rënie. Gjthashtu, numri i të aprovuarve mund të pësoj rënie, sepse prej një e-mail adrese mund të kemi raste kur kemi pranuar aplikacione me mbiemra të ndryshëm (Vendimi Nr. 42 – 2021, datë 11.01.2021, Pika I: Prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër. Raporti i bashkangjitur përmban vetëm të dhënat nga aplikacionet e futura në sistem”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.