Arbëri

Kossnet në Kushtetuese, takon Ramën

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, pritën në takim njohës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, të enjten, më 10 janar 2019.

Rama-Hajrizi fillimisht e njoftoi ambasadorin Kosnett me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat është përballur ky institucion gjatë vitit që shkoi, veçanërisht në aspektin e funksionimit dhe të vendimmarrjes.

“Largimi i njëkohshëm i katër gjyqtarëve të gjeneratës së parë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe humbja e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje vitin e kaluar, ishin ndër sfidat kryesore të cilat kryetarja Rama-Hajrizi i veçoi në takim. Ajo theksoi se, që nga themelimi në vitin 2009, Gjykata Kushtetuese tek tani në përbërjen e saj ka vetëm gjyqtarë vendorë, me ç’rast shprehu falënderimin për kontributin dhe për punën e çmuar të gjyqtarëve të larguar ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin për media.

Në vazhdim të bisedës kryetarja Rama-Hajrizi diskutoi mbi zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës, mundësitë e konsolidimit të mëtejmë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe reformat e nevojshme legjislative në funksion të forcimit të sundimit ligjit, thuhet në njoftim.

Ajo shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Qeveria e SHBA-së i ka ofruar deri më tani Gjykatës Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera në vend, nëpërmjet projekteve të financuara nga Misioni i USAID-it në Kosovë.

Sipas njoftimit, Kosnetti konfirmoi përkrahjen e tij për pavarësinë në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu zotimin për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, në të gjitha fushat me interes reciprok.