Instituti “Atlas” ka publikuar disa të dhëna që tregojnë ndryshime të mëdha ndërmjet viteve 2011 dhe 2024 sa i përket mënyrës se si ngrohen familjet në Kosovë.
Sipas të dhënave që janë marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, “Atlas” njofton se është shënuar një rënie e dukshme e përdorimit të drurit dhe naftës për ngrohje, dhe rritje e jashtëzakonshme e përdorimit të energjisë elektrike.
Siç bëhet e ditur, rreth 45 mijë njësi banimi më pak e përdorin drurin për ngrohje.
“Në vitin 2011, ngrohja me dru ishte forma dominuese me mbi 258 mijë njësi banimi që e përdornin këtë burim. Deri në vitin 2024, ky numër ka rënë në rreth 213 mijë, një rënie prej 45 mijë njësive banimi. Edhe më drastike është rënia e përdorimit të naftës/mazutit, nga mbi 10 mijë raste në vetëm 202 raste – një rënie prej mbi 98%”, thuhet në të dhënat e publikuara.
Teksa ka ndodhur një rritje e madhe në përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje: nga vetëm 15,313 raste në vitin 2011, në mbi 100 mijë raste në vitin 2024.
“Kjo nënkupton një rritje mbi gjashtëfish, që ka sjellë ngarkesë shtesë për rrjetin elektrik të Kosovës dhe ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e nevojës për import të energjisë gjatë muajve të dimrit”, thuhet tutje në gjetjet e këtij instituti.
Ky transformim strukturor në mënyrën e ngrohjes thuhet se jo vetëm që ka implikime për sistemin energjetik dhe buxhetin publik, por edhe për politikat e subvencionimit dhe eficiencës së energjisë në sektorin rezidencial.
“Rritja e varësisë nga energjia elektrike e bën Kosovën më të ndjeshme ndaj krizave energjetike dhe luhatjeve të çmimeve në tregun ndërkombëtar”, thuhet tutje.