Kryeministri në detyrë Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë tha se dëshiron që Kuvendi e Qeveria të formohen qysh nesër, pasi që janë disa detyrime që nuk presin dhe se ka pengesa në kryerjen e obligimeve të ndryshme financiare, për shkak të mosrishikimit të buxhetit për vitin 2017
“Janë disa detyrime që nuk presin. Unë dëshiroj që Kuvendi të bëhet nesër. Qeveria e ardhshme të zgjidhet nesër, në mënyrë që mund të funksionalizohen institucionet e Republikës së Kosovës, t’i zgjidhin këto probleme. Por problemet objektive tash janë para nesh”, tha ai.
E ministri i Financave Avdullah Hoti tha se në total mungesa buxhetore është 112 milionë euro. Sipas tij në mungesë të rishikimit të buxhetit për vitin 2017 janë krijuar një sërë vështirësish në kryerjen e obligimeve financiare.
Ai tha se janë një sërë obligimesh që mbesin pezull, siç është pagesa për veteranët e luftës së UÇK-së, obligimi për Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, mjetet për zgjedhjet lokale, obligimi që ka dalë nga Gjykata e Arbitrazhit lidhur me çështjen e pasaportave dhe obligime të tjera.
“ Në mungesë të rishikimit ne do të përballemi me vështirësi në kryerjen e obligimeve. I pari është për skemat pensionale dhe sociale. Për shkak të mungesës dhe vonesës në klasifikimin e veteranëve të luftës, ne duhet të vazhdojmë t’i paguajmë veteranët e luftës me shumën siç është caktuar me vendimin e Qeverisë në vitin 2015. Në bazë të parashikimit që është bërë bashkë me MPMS ne këtu kemi një mungesë prej 24 milionë euro për të përmbyllur vitin sipas obligimeve ligjore... Mjete na duhen edhe për zgjedhjet lokale, ngase mjetet e parapara në buxhetin e rregullt për zgjedhjet lokale sivjet janë shpenzuar për zgjedhjet e përgjithshme... Në total jemi 112 milionë euro që kemi mungesë buxhetore për shkak të mosfunksionimit të parlamentit dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i buxhetit”, tha ai.
Edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri foli për mosrishikimin e buxhetit. Ndërsa u ankua ndaj Ministrisë së Financave që, duke mos ndarë mjete buxhetore, ka bllokuar funksionalizimin e zyrave të gjendjes civile në tri komunat veriore dhe për zbatimin e reciprocitetit në tabela me Serbinë.
“MF e ka bllokuar, po ashtu asnjëherë se ka financuar MPB-në për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në tabela dhe që MPB ka gjetur përkohësisht buxhet përmes rialokimeve të brendshme. Por MF asnjëherë nuk është përgjigjur pozitivisht”, tha ajo.
E për këtë reagoi ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, i cili tha se ai nuk e bllokon asnjë punë, por vetëm e zbaton buxhetin ashtu siç është aprovuar.
“Unë nuk e bllokoj asnjë punë. Unë vetëm e zbatoj buxhetin ashtu siç është aprovuar dhe çdo vendim që marr e sjelli në Qeveri. Pra është me rëndësi që të mos bëjmë kështu vlerësime kategorike, që dikush e bllokon një proces. Nuk qëndron asnjëra prej tyre”, tha ai.
Por ministrja Tahiri tha se këto ka mundur t’i thotë dhe më herët, por s’ka qenë koha dhe se tash është korrekte të flas për këto bllokada..
“Unë kam mundur këto fjalë t'i them përpara. Por nuk kam dashur të mendohet që po bëjmë ndonjë marketing politik. Po unë kam komunikime me email me MF dhe mes tjerash i kam thënë se shtrirja e sovranitetit në veri të vendit nuk bëhet pa financa. Nëse dikush e mendon atëherë le ta bëjë. Unë e di se këto implementime kanë implikime financiare. I kam emailat komunikimet por nuk e kam bërë më herët. Tash është korrekte ta bëjë. Sepse jemi pjesë e ekipit qeveritar dhe duhet t’i përfundojmë këto punë“, tha ai.
Por pas akuzave të ministres Tahiri, reagoi dhe kryeministri në ikje Isa Mustafa. Ai tha se nuk është korrekte të flitet në këtë mënyrë.
“Nuk është korrekte që ju të flisni se është bllokuar MPB. Ministrin e Brendshëm e kemi këtu”, tha ai.
E Tahiri i tha Mustafës se pasi që janë kah fundi, duhet të dihen gjërat , duke e mbyllur kështu këtë debat.
“Iu lutem. Unë kam përgjegjësi për zbatim bashkë me gjithë juve. Por vërtet, pasi jemi nga fundi kam dëshirë të dihen gjërat”, tha ajo.
Kabineti qeveritar ndërkaq aprovoi vendimin për hartimin e Programit për reforma ekonomike 2018-2020 si dhe ndau 342 mijë euro për nevoja të Doganës së Kosovës.