Arbëri

Kosova mund ta përdorë trasenë ekzistuese për hekurudhën Prishtinë-Durrës

Deri në fund të vitit pritet që të përfundojë studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, linjë kjo që do të lidhë Portin e ri tregtar në Durrës me Portin e Thatë në Prishtinë. Por Kosova nuk ka ende një përllogaritje të përfitimeve që do t’i sjellë ky projekt ambicioz që u paraqit në mbledhjen e dy qeverive në Prishtinë. Ideja për linjë të tillë hekurudhore daton që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar, por që deri tani nuk është realizuar

U paraqit si projekti më ambicioz në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Por ideja për hekurudhën Durrës-Prishtinë daton që nga vitet ‘50, kur ishte bërë edhe një studim hungarez.

Një studim tjetër i bashkëfinancuar nga dy qeveritë me nga 1 milion euro për të cilin u dakorduan në mbledhjen e fundit në Prishtinë, pritet që të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Nga Autoriteti Portual Durrës kanë bërë të ditur se studimi do të përcaktojë kalendarin e punimeve dhe kostot e ndërtimit. Si i tillë, ai pritet që t’i lidhë dy vendet duke krijuar një korridor të ri drejt Ballkanit Perëndimor. Projekti parasheh krijimin e një porti të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano, ndërlidhjen me aksin hekurudhor, si dhe ndërtimin e terminalit logjistik të dedikuar në Kosovë për përpunimin e mallrave që transportohen në rrugë detare, që do të quhet Porti i Thatë në Prishtinë.

Edhe pse ende nuk dihet se sa do të kushtojë ky projekt dhe si do të financohet, pritjet për përfitime ekonomike janë të mëdha për Shqipërinë, ndërsa për Kosovën nuk ka një përllogaritje të saktë.

Sadullah Avdiu, profesor i lëndës Projektimi i Hekurudhave, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, thotë se hekurudha është një zgjidhje e leverdishme për transportin e mallrave dhe të udhëtarëve, pasi është më i rehatshëm, i sigurt dhe ekonomik.

“Sa i përket aspektit strategjik, e lidh Durrësin, por edhe Shqipërinë me Prishtinën, me Shkupin e më vonë ndoshta edhe me Nishin, praktikisht me korridorin 10 panevropian, sepse tash për tash Shqipëria ka lidhje hekurudhore vetëm me Podgoricën, e pritet që të ketë një lidhje hekurudhore përmes korridorit të 8-të me Strugën, Ohrin dhe Shkupin”, ka thënë ai.

Ka theksuar se për Kosovën as që diskutohet rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike, pasi lidh Kosovën me Shqipërinë dhe daljen në Portin e Durrësit, e po ashtu me portet e tjera shqiptare.

“Ekonomisë së Kosovës do t’i ofronte shërbime të transportit të mallrave e po ashtu edhe të udhëtarëve me kosto ekonomike, njëherësh do të shkarkonte dukshëm transportin rrugor, nëpër autoudhën ‘Ibrahim Rugovës’ dhe autoudhën e kombit”, ka theksuar ai.

Sa i përket trasesë, Avdiu thotë se Kosova mund ta shfrytëzojë trasenë ekzistuese deri në Prizren me disa korrigjime, ndërsa Shqipëria trasenë ekzistuese deri në Rrëshen, e pastaj të ndiqet lugina e lumit Fan pranë autoudhës.

“Pjesa nëpër Kosovë është edhe më e shkurtër dhe terreni i rrafshët, kurse nëpër Shqipëri është edhe terreni më i thyer, edhe distanca relativisht më e gjatë”, ka theksuar Avdiu.

Në takimin midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që u mbajt në Prishtinë është prezantuar projekti i ndërtimit të projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Sipas prezantuesit të projektit, Eric Smit, nëse ky port do të realizohet Shqipëria dhe Kosova do të ndryshojnë lojën në Ballkan.

“Nëse ky port do të ndërtohej, do ta ndryshonte lojën jo vetëm për dy shtetet, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Smit nga Royal Haskoning DH.

Në projektin për ndërtimin e Porto Romanos përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do jetë në Prishtinë, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejnerë deri në vitin 2050.

“Kemi hekurudhën, Portin e Durrësit dhe atë të Thatë në Prishtinë. Deri në vitin 2050 do të mund të ketë potencial deri në 100 mijë kontejnerë që të trajtohen në Portin e Thatë në Prishtinë. Porti i Thatë jep shumë mundësi dhe është një infrastrukturë ideale për ta hequr stresin nga portet detare. Kjo i lehtëson disa pjesë shumë thelbësore të portit detar”, ka theksuar Smit.

Porto-Romano do të ketë një sipërfaqe prej 400 hektarësh me kapacitet prej 2 milionë kontejnerësh deri në 50 milionë tonelata. Po ashtu, parashikohet të presë deri në 1 milion pasagjerë. Nëpërmjet këtij projekti distanca me Prishtinën pritet të shkurtohet në 265 kilometra.

Ky projekt i iniciuar kohë më parë ishte kryefjalë e konferencës së përbashkët të dy kryeministrave ditë më parë në Prishtinë.

“Projekti më ambicioz strategjik që transformon të gjithë infrastrukturën e zhvillimit tregtar dhe nxit si asnjëherë më parë ekonominë e dy vendeve, por e vendos Shqipërinë së bashku me Kosovën në qendër të një graviteti rajonal dhe e kthen Durrësin në një nga portat më strategjike e ekonomike të Mesdheut, për të shkruar tek projektimi i hekurudhës Durrës – Prishtinë”, ka thënë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Sipas kryeministrit Rama, 1225 biznese kosovare aktualisht operojnë në Shqipëri, e 1081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.

Duke prezantuar të arriturat e deritashme, sipas Ramës, investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin 9 milionë euro, e në vitin 2021, 139 milionë. Sipas tij, kjo shifër është domethënëse, e mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme.

“Besoj se kryeministri (Kurti v.j.) është dakord që në këtë sezon është e palejueshme të kemi probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet, radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë”, ka thënë Rama.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky projekt do të ndikojë në shkëmbimet tregtare.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një trend shumë të mirë të shkëmbimit tregtar, sot si asnjëherë më parë eksportojmë dhe importojmë ndërmjet vete”, ka thënë ai.

Aktualisht Kosova është e izoluar dhe nuk ka qasje në asnjë linjë ndërkombëtare hekurudhore. Linja me Maqedonisë që ka qenë funksionale deri vonë, tash është jashtë përdorimit.