Arbëri

Kosova me progres të limituar – përsëritet rekomandimi për liberalizim vizash

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit, me përmbajtjen e të cilit është njoftuar KOHA, pritet të konstatojë se për shkak të një periudhe jostabile politike dhe për shkak të pandemisë, Kosova ka pasur progres të kufizuar në zbatimin e agjendës së reformave evropiane. Do të kërkohet zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu. Komisioni do të përsërisë edhe në këtë raport progresi se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe të konstatojë se kjo çështje mbetet akoma në Këshill

Procesi i zgjerimit është në një ngecje dhe kjo ka bërë që edhe raportet vjetore të progresit për vendet e përfshira në këtë proces të mos e kenë efektin që kishin dikur kur priteshin me kureshtje të madhe. Komisioni Evropian do ta miratojë sot në takimin e Kolegjit të Komisionerëve e më vonë edhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komisionin e Politikës së Jashtme. Prezantimin do ta bëj Oliver Verhelyi, komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së.

Nuk ka mundur të ketë një koincidencë më negative sesa kësaj radhe dita dhe vendi i prezantimit të kësaj pakete. Në të njëjtin vend dhe në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe debati për shkeljet e pretenduara të ligjeve evropiane nga ana e Polonisë, së cilës Komisioni Evropian i kërcënohet me masa serioze ndëshkuese, ndërsa tashmë ka edhe thirrje që Polonia të largohet nga Bashkimi Evropian nëse insiston në qëndrimin se ligjet e BE-së nuk mund të jenë mbi Kushtetutën e Polonisë. Shembulli i Polonisë, por edhe i Hungarisë po përdoret tashmë nga disa qarqe në Evropën Perëndimore për të penguar procesin e zgjerimit.

Por gjithsesi Komisioni Evropian vazhdon me praktikën e vlerësimit të vendeve kandidate dhe të kandidatëve potencialë, apo edhe atyre që kanë vetëm “perspektivë evropiane” siç është Kosova. Natyrisht, në dokument do të përmendet me asteriskin e famshëm dhe fusnotën se kjo nuk paragjykon pozicionin e shteteve anëtare ndaj statusit, është në përputhje me Rezolutën e OKB-së dhe mendimin e GJND-së.

Por sa i përket përmbajtjes, Raporti për Kosovën është objektiv dhe nënvizon pak përparim që ka ndodhur dhe shumë sfida që kanë mbetur. Në shumë kapituj Kosova mbetet në “fazën e hershme”, që në fakt është thënie për fazën fillestare, të përshtatjes me standardet evropiane.

Kësaj radhe Komisioni Evropian, në bazë të draftit me përmbajtjen e të cilit është njoftuar KOHA, ka kuptuar edhe arsyet kryesore pse Kosova ka pasur vetëm një përparim të kufizuar në zbatimin e agjendës së reformave evropiane.

Në bazë të raportit kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave, sidomos për shkak të një periudhe të jostabilitetit politik, përmes të cilit ka kaluar Kosova, si dhe për shkak të pandemisë.

Por në raport do të konstatohet se pas zgjedhjeve, të cilat nxorën një fitore bindëse, deri atëherë të pashembullt në Kosovë, tash është një qeveri stabile dhe nga ajo kërkohet që ta ketë prioritet zbatimin e agjendës së reformave evropiane.

Në raport për Kosovën, sikur edhe për shtetet e tjera, vlerësimi i progresit është bërë me notat nga negative “përkeqësim” apo “rrëshqitje prapa” deri në “progres shumë i mirë”, që është vlerësimi më i madh. Në mes janë notat si “nuk ka progres”, “progres i kufizuar”, “një lloj progresi” dhe “progres i mirë”.

Në mënyrë të veçantë është analizuar lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat e gjyqësorit dhe reformat e administratës publike që janë edhe pikat kryesore ku BE-ja ka vendosur ta ketë fokusin në këtë proces si prioritet.

Pasi periudha të cilën e mbulon ky raport ka të bëjë me atë që ishte e karakterizuar nga pandemia, do të flitet edhe për mënyrën se si shtetet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, janë përballur me të dhe ndihmën që në këtë drejtim ua ka ofruar Bashkimi Evropian.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka zënë vend të veçantë në këtë paketë. Përmendet edhe në strategjinë e përgjithshme të zgjerimit, në pjesën politike, por edhe në raportet individuale për Kosovën dhe atë për Serbinë.

Krahas konstatimit se ka pasur dy takime në nivel të lartë në qershor dhe korrik, se palët kanë emëruar kryenegociatorët e tyre, në raportet e progresit do t’u përsëritet thirrja të dyja vendeve që të bëjnë më shumë përpjekje për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, do të konsiderohet si urgjente edhe në këto dokumente. Dhe Kosovës e Serbisë do t’u përsëritet se “një marrëveshje e tillë është nevojë urgjente dhe kyç në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në rrugëtimin e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në tekst.

Në raportin për Serbinë, e cila edhe i ka të hapura negociatat e anëtarësimit, që në fillim të kritereve politike është përsëritur se “dinamika e përgjithshme e negociatave do të vazhdojë të varet nga reformat në sundimin e ligjit dhe nga normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën”.

Një temë e cila pothuajse është harruar, e që është e dhimbshme për kosovarët, do të gjejë vend në këtë raport progresi po ashtu. Fjala është për liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian nuk do të sjellë këtu ndonjë risi. Do të përmend se kjo çështje vazhdon të jetë në Këshill dhe të ripërsërisë se mbetet në qëndrimin e shprehur qysh në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi që ato të hiqen. Kjo përsëritje e kësaj thirrjeje nga ana e Komisionit Evropian gjithsesi është e rëndësishme. Kjo mbështetet edhe nga Parlamenti Evropian. Por deri tash këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër tek disa shtete anëtare të cilat e kanë kundërshtuar miratimin e një vendimi të tillë në Këshill. Kështu Kosova ka mbetur i vetmi vend në rajon, por edhe më gjerë, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë në BE pa viza.