Arbëri

Kosova, e vetme kundër “Ballkanit të Hapur”

Kosova është vendi i vetëm nga shtetet e rajonit që ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”, që ka nisur të martën në Ohër. Krahas krerëve të shteteve që iniciuan këtë nismë rajonale, në Maqedoni të Veriut do të jenë edhe përfaqësues të Malit të Zi dhe ata të Bosnjë-Hercegovinës. Liderëve nga rajoni do t’i drejtohet komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi, e përmes një videomesazhi edhe zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar

Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi dhe zëvendësndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, do t’u bashkohen liderëve të rajonit në samitin e “Ballkanit të Hapur”, që ka nisur të martën në Ohër dhe do të vazhdojë deri pasditen e së mërkurës.

Në këtë ngjarje do të mungojë përfaqësuesi i Kosovës, meqë përfaqësues institucionalë janë përcaktuar të mos përfshihen në projektin e “Ballkanit të Hapur”.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të mërkurën kryeministri i këtij shteti, Dimitar Kovacevski, ai i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do t’u drejtohen të pranishmëve. Fjalime do të mbajnë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, udhëheqësi i Këshillit të ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija, si dhe komisioneri i BE-së, Oliver Varhelyi. Ndërkaq me një videomesazh pjesëmarrësve në samit do t’u drejtohet edhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.

Me të përfunduar fjalimet, do të nisin panelet e diskutimeve.

Paneli i parë do të jetë ai me temën: “Ballkani i Hapur, hap turizmin”, i cili do të hapet nga zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe koordinim me resorët ekonomikë, Fatmir Bytyqi, i cili së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, si dhe ministren për Turizëm dhe Ambient Jetësor të Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furhi dhe ministren për Tregti, Turizëm dhe Telekomunikacion të Serbisë, Tatjana Matiq, do të diskutojnë për përfitimet nga iniciativa dhe masat që do të ndërmerren për zhvillimin e turizmit në nivel rajonal.

Në mesditë të pranishmit do të diskutojnë për kulturën. Zëvendëskryeministri për eurointegrime Bojan Mariçiq, së bashku me ministren për Kulturë, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe me Elva Margariti, ministre për Kulturë e Shqipërisë dhe me Maja Gojoviq, zëvendëskryeministre dhe ministre për Kulturë dhe Informim e Serbisë, do të diskutojnë për rëndësinë e kulturës në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Diskutimet do të pasohen nga nënshkrimi i memorandumeve për bashkëpunim në katër fusha.

E, samiti do përmbyllet me konferencën për shtyp të liderëve themelues të iniciativës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Ekzekutivi maqedonas e ka vlerësuar si pozitive iniciativën.

“Iniciativa `Ballkani i Hapur`, me të gjitha bazat e logjikës ekonomike është pozitive, për shkak se krijon një treg të madhe të kapitalit, mundësi për shkëmbim dhe kjo do të shkaktojë rritje të bruto prodhimit vendas për rajonin”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Për dallim nga Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina, liderët e të cilave do të jenë pjesë e samitit “Ballkani i Hapur”, përkundër se e kanë kundërshtuar si nismë fillimisht, qëndrimin e njëjtë vazhdon ta mbajë Qeveria e Kosovës, e për të cilën ka një konsensus edhe me partitë në opozitë.

Kryeministri Albin Kurti ka kumtuar fundjavën e shkuar se i është përgjigjur negativisht ftesës për pjesëmarrje.

“Ballkani Perëndimor është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar. Nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore”, ka thënë kryeministri Kurti, në samitin në Bratislavë. “Dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0. Tashmë me një nisje të freskët nga kancelari Scholz, e mbështesim iniciativën me vlerat evropiane brenda dhe BE-ja që të na ndihmojë, por jo jashtë BE-së”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha të martën se pavarësisht kush i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, Kosova duhet të qëndrojë pas interesave që ka si shtet.

“E kuptoj që po të mbesim të vetmit do të duket një situatë problematike, por në fund të fundit interesat e shtetit janë më të rëndësishme dhe ne ata duhet t’i kemi në qendër të vendimmarrjes dhe politikëbërjes sonë. Veprimet që mundet t`i marrë ndonjë shtet në rajon, nuk duhet doemos ta ndikojnë vendimin e Kosovës për këtë projekt ku asgjë nuk ka ndryshuar. Qëndrimet që kemi pasur në fillim nuk mund të ndryshojnë tash, meqenëse faktet mbesin të njëjta”, ka thënë Krasniqi, në një konferencë për media.

Sipas kryetarit të PDK-së, nisma e “Ballkanit të Hapur” për partinë që ai drejton është problematike që nga fillimi.

“Përtej projekt ekonomik, ai para së gjithash është një projekt politik dhe ne nuk mundemi që duke qenë pa pushim proponent dhe mbështetës të tregut të lirë, qarkullimit të lirë dhe pa pengesa të njerëzve, mallrave, shërbimeve, të ideve po ashtu nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj faktit që Kosova ka një konflikt të ngrirë i cili nuk po duket në perspektivë se do zgjidhet së shpejti”, ka thënë Krasniqi. “Ne nuk mund që me aq lehtësi të ulemi në tavolinë e të konsiderohemi të barabartë në një projekt ku s`kemi qenë që nga gjeneza e tij dhe kjo është arsyeja që në skenën politike të Kosovës ka një konsensus që nuk e mbështet përfshirjen e Kosovës në ‘Ballkanin e Hapur’”.

Një ditë më parë, mbështetje “Ballkanit të Hapur” i ka dhënë edhe Rusia.

Duke komentuar këtë përkrahje të Rusisë, shefi i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka ndërlidhur lidhjet mes synimeve të Rusisë në Ukrainë e ato të Serbisë në Kosovë.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Lavrov, konfirmon hapur lidhjen midis synimeve hegjemoniste të Rusisë në Ukrainë dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, Lavrov e sheh iniciativën e ‘Ballkanit të Hapur’ si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO”, ka shkruar Vela.

Disa vite pas nismës së Berlinit, që promovon jetësimin e katër lirive themelore në rajon, është iniciuar Minischengeni ballkanik. Projekti i transformuar në “Ballkanin e Hapur” është prezantuar për herë të parë në tetor të vitit 2019 në Novi-Sad të Serbisë nga presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Dy vjet më vonë, ata nënshkruan në Shkup marrëveshjen që parasheh heqjen e kontrolleve kufitare mes këtyre vendeve, nga 1 janari i vitit 2023. Nisma planifikon të krijojë një treg të përbashkët dhe një zonë të vetme ekonomike.