Arbëri

Kosova e Shqipëria me marrëveshje për ndihmë në raste fatkeqësish natyrore

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot nismën për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kjo Marrëveshje, siç sqarohet në komunikatën e Qeverisë, ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe në reagimin e shpejtë në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, për të ndihmuar dhe bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes civile, në veçanti lidhur me planifikimin dhe masat parandaluese për t’u mbrojtur nga përmbytjet, tërmetet, bllokimet nga bora, zjarret, ndotja, aksidentet detare, ndotja radiologjike si dhe fatkeqësitë tjera që vijnë qoftë nga veprimtaria njerëzore, ndihmë të ndërsjellë në mbrojtje, kërkim-shpëtim dhe eliminim të pasojave që vijnë nga fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të tjera, transmeton Koha.net.

Qeveria ka miratuar sot edhe vendimin për themelimin e Këshillit të Turizmit të Kosovës. Themelimi i këtij këshilli synon përfaqësimin e të gjithë akterëve kryesorë, që ndërlidhen me zhvillimin e turizmit.

Roli i këtij Këshilli është ngritja e dialogut dhe bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat dhe atij publik, me synim të propozimit të politikave dhe planeve për zhvillimin e turizmit.

Edhe vendimi për pezullimin e zbatimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, mori miratimin e kabinetit qeveritar.

Kabineti qeveritar miratoi dhe vendimin për transferin e stafit dhe rialokimin e mjeteve financiare për integrimin e personelit nga fondi i kontingjentit i të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Ky vendim e rrumbullakon zbatimin e marrëveshjes për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” në veri të vendit.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar u informua për takimin e Nënkomitetit të MSA-së për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Në informatën para kabinetit qeveritar, ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, tha se është diskutuar edhe për masat prioritare të agjendës së reformave evropiane dhe programit të reformave ekonomike për këta sektorë.

“Në sektorin e tregtisë janë diskutuar zhvillimet e fundit sa i përket kornizës legjislative, implementimit të MSA-së, nënshkëmbimet tregtare dhe zbatimit të CEFTA-s. Pjesë e diskutimit ishte edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë. Komisioni njoftoi se është duke shqyrtuar mundësitë më të mira për përmirësimin e zbatimit të konventës regjionale Pan Euromed për rregullat e origjinës, si një nga konventat që del nga MSA-ja për tregtinë me BE-në.

Në fushën e Doganës, është diskutuar mbledhja e të hyrave nga dogana dhe implikimet fiskale të zbatimit të MSA-së.

Komisioni Evropian përshëndeti progresin e bërë nga Dogana sa i përket luftimit të kontrabandës dhe korrupsionit, si dhe masat që Dogana ka ndërmarrë për lehtësimin e tregtisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kapaciteteve administrative. Është kërkuar nga institucionet tona që të ruhen praktikat e mira gjatë bashkimit të Doganës dhe ATK-së. Ndërsa në fushën e tatimeve, është diskutuar zhvillimi institucional, përfshirë ndryshimet në politikat tatimore, bashkimin në një agjenci të të hyrave dhe sistemin e teknologjisë informative.

Një nga pikat më të rëndësishme, ka qenë edhe luftimi i ekonomisë joformale, ku është diskutuar zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, përfshirë edhe monitorimin dhe raportimin, si dhe rishikimin e planit të veprimit për të adresuar sektorët me potencial më të lartë rreziku. Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, është diskutuar për zhvillimet sa i përket infrastrukturës së cilësisë, përfshirë edhe kornizën ligjore për standardizimin, metrologjinë, inspektimet e përgjithshme, kërkesat teknike dhe vlerësimin e konformitetit”, tha ministrja.