Në fillim të kësaj jave, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka dërguar 282 mostra në një laborator në Gjermani për detektim të varianteve të reja të COVID-19, përkatësisht të mutacionit kolumbian Mu. Rezultatet e këtyre mostrave pritet që të bëhen të ditura gjatë javës së ardhshme.
Mikrobiologu Xhevat Jakupi nga IKSHPK ka thënë se ky institucion nuk ka kapacitet për gjurmim të varianteve të reja të COVID-19, prandaj në fillim të kësaj jave kanë dërguar mostra në Gjermani, rezultatet e të cilave do të tregojnë nëse Kosova është prekur ose jo nga varianti kolumbian. Ai shtoi se dërgimi i këtyre mostrave në Gjermani po bëhet përmes Qendrës për Kontroll të Sëmundjeve të Unionit Evropian.
“Brenda IKSHP-së nuk ka kapacitetet për sekuencionim të gjenomit të SARS-COV2 për këtë arsye ne mostrat në mënyrë të herëpashershme i dërgojmë jashtë Kosovës në laboratorët me të cilët kemi marrëveshje për këtë qëllim. Më 6 shtator i kemi nisur 282 mostra të tjera për detektim të varianteve për sekuencionim që pastaj do të rezultojë me informata se çfarë variante tani janë në qarkullim e sipër”, ka thënë ai.
Jakupi thotë se Instituti nuk mund të bëjë detektimin e varianteve të SARS-COV2 pasi kanë mungesë të pajisjeve por edhe të ekspertëve të kësaj fushe. Megjithatë u shpreh se janë në proces të blerjes së pajisjeve që do të mundësojnë që në muajt e ardhshëm të nisë detektimi i varianteve të reja edhe në vendin tonë.
“Gjatë vitit të kaluar kemi filluar blerjen e pajisjeve, e kemi blerë një pjesë të pajisjeve të nevojshme, brenda këtij viti ne kemi nisur edhe një proces tjetër të blerjes së pajisjeve që kanë munguar përveç asaj që kemi siguruar në vitin paraprak dhe ky procesi i tenderimit ka zgjatur mjaft shumë. Në Kosovë për momentin nuk kemi ekspertë për sekuencionim kështu që duhet të trajnohemi nga zeroja, kemi mungesë të plotë të një lëmie që quhet ekspertë të bioinformatikës dhe do të duhet të shqyrtojmë mundësinë se si këtë mangësi ta tejkalojmë përmes trajnimit të mikrobiologëve ose të lëmive të ngjashme që do të kenë mundësi të marrin njohuri”, deklaroi Jakupi./ KosovaPress
-
Komisioni në Hagë po trajton 15 mostra që dyshohet se u përkasin të zhdukurve gjatë luftës
-
6 vjet nga rasti i parë me Covid-19 në Kosovë, mbi 276 mijë raste pozitive, 3238 të vdekur
-
Dy skanerë me rreze X do të instalohen në Merdar, në rastin më të mirë më 2026
-
Eksperti gjerman kryen ndërhyrje me pajisjen që s’u përdor edhe pse u ble që tri vjet
-
Laboratori (jo)funksional